Në një shtet me shumë politikanë të korruptuar, është normale që lufta politike të zhvillohet përmes publikimit të aferave kriminale dhe jo përmes një lufte programore apo ideologjike, thonë njohësit e proceseve politike në vend
Xhenur ISENI
Shkup, 19 prill – Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev kohët e fundit – përveçse po përballet me mungesë të kuorumit në Parlament, tanimë ajo po përballet edhe me aferat korruptive që po ia shpalosë lideri opozitarë Hristijan Mickoski. Së fundmi, Mickoski para opinionit ka zbuluar dy skandale të Qeverisë, përkatësisht aferën e dhënies së pasaportave për disa narko-bosë ballkanik, ndërsa këtë aferë nga opozitarja VMRO-DPMNE e kanë quajtur “Mafia”. Natyrisht se qëllimi i gjithë kësaj është që para qytetarëve – qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev ta paraqesin si bashkëpunëtore e krimit dhe korrupsionit, njëjtë siç kishte bërë Zoran Zaev kur ishte në opozitë me publikimin e bombave ndaj Qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ku më pas edhe e rrëzoi nga pushteti. Atëherë, përkatësisht në vitin 2015, lideri i atëhershëm opozitar Zoran Zaev, gati se çdo ditë përmes bombave shpaloste mega-afera korruptive të Qeverisë së Nikolla Gruevskit, ndërsa pas zgjedhjeve, Zaevi arriti ta rrëzojë nga froni qeverisjen 10-vjeçare të Gruevskit, i cili për momentin është në arrati në Hungari.
Por, a mund të thuhet se tani kemi një situatë të njëjtë me aferat korruptive që po i shpalos gati se çdo ditë lideri opozitarë Hristijan Mickoski me qëllim rrëzimin nga pushteti të Zoran Zaevit, përkatësisht nëse Mickoski po i përdorë metodat e kryeministrit aktual për të ardhur në pushtet? Për analistin Blerim Hyseni, lideri opozitar po tenton të përdorë mekanizma të njëjtë për qëllimin e njëjtë, por sipas tij, rrethanat dallojnë në disa aspekte. “E para Gruevski në pushtet ishte një dekadë e tepër dhe njerëzit e kishin të qartë se me çfarë pushteti kishin të bëjnë. E dyta, Gruevski u tregua shumë i ‘aftë’ për të marrë në duar gjithçka, për të kontrolluar gjithçka dhe askush të mos të dijë gjë! E treta, ai krijoi një kaste të dëgjuarish politik, të cilët ishin 24 orë në shërbim të Gruevskit dhe asgjë nuk ndërmerrnin pa urdhra nga lartë. Ndërsa aspekt tjetër që i përmbledh të gjitha këto ishin se sa ishte në pushtet – aferat nuk u detektuan dhe nuk u hetuan nga askush. Kjo përben dallimin ndërmjet dy pushteteve dhe vlerësoj qe ka dallime esenciale dhe janë gjërat e pa krahasueshme sado që Mickoski tenton t’ia ktheje në të njëjtën mënyrë sepse rrethanat janë tejet të ndryshme dhe esencialisht të dallueshme”, ka deklaruar për KOHA, Blerim Hyseni, analist.
Pas skandalit që publikoi VMRO-DPMNE lidhur me aferën e pasaportave, nga kjo parti të enjten kanë shpalosur një tjetër skandal të Qeverisë e që e kanë quajtur “Mafia2”. Bëhet fjalë për, siç e quajnë në VMRO, aferë ku më shumë se 20 mijë persona kanë nga dy numra amë, ndërkohë të njëjtit figurojnë edhe në Listën zgjedhore në më shumë se një vendvotim. Nga VMRO pretendojnë se ky kriminalitet është përdorë për falsifikim zgjedhorë, ndërsa thonë se këto duplifikime të numrave amë, sigurisht kanë ndodhur pas vitit 2016, atëherë kur edhe u pastrua Lista zgjedhore.
“Në një shtet me shumë politikanë të korruptuar, është shumë normale që lufta politike të zhvillohet përmes publikimit të aferave kriminale dhe jo përmes një lufte programore apo ideologjike”, thotë analisti politik, Vlladimir Boshnjakovski. Sipas tij, secila opozitë do të kishte sulmuar pushtetin nëse kanë dëshmi për krim dhe korrupsion. “Nuk mund të thuhet se Mickoski shfrytëzon metodat që kryesisht ishin të Zaevit, sepse secila opozitë do ta kishte sulmuar pushtetin nëse ka dëshmi ose njohuri për krim dhe korrupsion. Unë mund të inkurajoj secilin që ka këso lloj informatash, të njëjtat të vazhdojnë ti publikojnë dhe të kryejnë presion për përgjegjësi penale. Vetëm kështu mund të krijojmë institucione të përgjegjshme dhe ta shkatërrojmë ndjenjën e mosndëshkimit të për elitat. Ndërkohë, kjo gjithashtu është edhe një mjet legjitim në luftën për pushtet”, ka deklaruar për KOHA, Vlladimir Boshnjakovski. (koha.mk)