Athinë, 13 janar – Shtëpi dhe rrugë të përmbytura, lumenj të dalë nga shtrati dhe dëme të mëdha materiale u lanë pas një stuhie me shi të fortë që goditi shumë pjesë të Greqisë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Moti i ligë shkaktoi përmbytje dhe probleme në veri dhe verilindje të vendit si dhe në ishullin Lezbos.
Në rajonin e Trakës, shërbimi i zjarrfikësve grek mori 210 thirrje për ndihmë gjatë ditës së djeshme, ndërsa u bë ndërhyrje për 52 persona për t’u transferuar në një vend të sigurt.
Reshjet më të mëdha të shiut, 97 milimetra për metër katror u regjistruan në fshatin Metaksades afër Evros në pjesën verilindore të Greqisë.
Në Selanik dhe përreth tij, disa rrugë lokale u mbyllën, ndërsa u derdh edhe lumi Galikos, ashtu si lumi Pinjos në afërsi të Larisës dhe autostrada që lidh qytetet Trikala dhe Kardica.
Nga sonte, sipas faqes zyrtare të Observatorit Kombëtar në Athinë, Greqia do të përfshihet nga moti i ligë “Leandros”, i cili do të sjellë valë të ftohtë, temperatura të ulëta dhe dëborë.