Qytetet bregdetare të Sllovenisë, Pirani, Izola dhe Kopari mbrëmë u përmbytën për shkak të reshjeve të dendura dhe kombinimit të ciklonit, erës jugore dhe Hënës së plotë, që shkaktuan batica jashtëzakonisht të larta.
Sipas informatave jozyrtare, niveli i detit arriti pikën e tij të dytë më të lartë në 50 vitet e fundit.
Agjencia e lajmeve sllovene STA deklaroi se niveli i ujit në disa pjesë ka arritur në 60 centimetra, ndërsa gjendja më e keqe është ne Izola.
Sipas të dhënave të Shërbimit të Koprit për matje të baticës, niveli i baticës ka arritur në 373 centimetra, dhe këtë Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit e ka quajtur një fenomen të rrallë. Zjarrfikësit gjithë natën kanë vendosur barriera për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të ujit.
Shiu i fuqishëm dhe era kanë shkaktuar probleme edhe në pjesët e tjera të vendit, veçanërisht në pjesën verilindore dhe perëndimore të Sllovenisë.