Përmbyset një gomone në Turqi, 9 të vdekur

Të paktën 9 persona kanë humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë shpëtuar si pasojë e përmbysjes së gomones që barte migrantët e parregullt në qarkun Kuşadası të qytetit Aydın, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi që është lajmëruar se një gomone është përmbysur në ujërat e Kuşadası, Rojet Bregdetare të Turqisë shkuan në zonën ku ka ndodhur incidenti. Ndërsa shumë auto-ambulanca janë transferuar në bregun në afërsi të rajonit.

Pas operacioneve të kërkim-shpëtimit është arritur deri tek kufoma e 9 personave, ndërsa 4 të tjerë janë shpëtuar.

Në deklaratat e para të të shpëtuarve nuk është njoftuar për migrantë të zhdukur.

Zyrtari lokal i Kuşadası, Muammer Aksoy, në deklaratën për AA tha se prej të vdekurve 7 janë fëmijë, ndërsa 2 janë gra.