Gjenevë, 17 janar – Katër persona kanë humbur jetën, ndërsa pothuajse 180 njerëz janë zhdukur pasi që një anije me emigrantë të shtunën është përmbysur në Detin Mesdhe, kumtoi sot UNHCR dhe Organizata ndërkombëtare për emigracion. Të dhënat janë marrë në bazë të dëshmive të katër udhëtarëve të shpëtuar, të cilët kanë arritur në portin italian Trapani, qëndron në kumtesë. Supozohet se të gjithë 180 njerëzit e zhdukur janë të vdekur, kumtuan sot përfaqësuesit, pasi që biseduan me katër të mbijetuarit. Ata kanë theksuar se anija e drurit të premten e ka braktisur Libinë me më shumë se 180 njerëz, të cilët janë me origjinë nga Afrika lindore. Pas lundrimit ditën e premte, është prishur motori dhe anija ka filluar të mbushet me ujë dhe siç është fundosur dalë ngadalë, kështu edhe njerëzit janë mbytur. Pas shumë orëve qëndrimi në ujë, të mbijetuarit të shtunën janë shpëtuar nga ana e një anije franceze, e cila vepron në kuadër të operacionit “Triton” të Agjencisë kufitare evropiane “Fronteks”. Pas kësaj i ka marrë një anije tjetër e “Fronteks” dhe i ka dërguar në Trapani, së bashku me katër trupa, që janë nxjerrë nga uji dhe 34 persona të cilët janë shpëtuar nga një anije tjetër me emigrantë, e cila gjithashtu ka pasur probleme.