Zejnulla VESELI
Shkup, 27 janar – Të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se deri në fund të muajit shtator të vitit të kaluar 76.504 qytetarëve u janë bllokuar 179.250 llogari transakcionale, kurse 36.108 personave juridik u janë bllokuar gjithsej 54.876 llogari bankare, shkruan gazeta KOHA. Bllokimi i llogarive të qytetarëve nëpër banka është si pasojë e ligjit për përmbarim i cili hyri në fuqi në vitin 2006, i cili parasheh që qytetarët të cilët nuk kanë paguar borxhet e prapambetura siç janë faturat e rrymës elektrike, faturat komunale, faturat të telefonisë fikse dhe mobile si dhe mos pagimi në kohë i kredive nëpër bankat komerciale pagesën me dhunë ta bëjnë përmbaruesit. Përmbaruesit me punë filluan në vitin 2006 dhe deri në fund të vitit 2015 në bazë të raporteve vjetore të Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë (OPM) me dhunë nga qytetarët dhe personat juridik kanë paguar 830 milion euro. Pagesa më e lartë nga përmbarimet në vlerë prej 128 milion euro ka pasur në vitin, pastaj në vitin 2014 dhe 2015 pagesa ka qenë identike në vlerë prej 107 milion euro ndërsa pagesa më e ulët e përmbaruesve është arritur në vitin 2006 në vlerë prej 20 milion euro, menjëherë pasi filloi të zbatohet ligji për përmbarim. OPM-ja ende nuk e ka bërë publike raportin e plotë vjetor për vitin 2016 edhe pse deri në fund të muajit shtator të vitit të kaluar përmbaruesit kanë arritur nga qytetarët të paguajnë rreth 78 milion euro, ndërkaq raporti i vitit 2015 rezulton se të gjithë përmbaruesit nga 154.522 lëndë sa kanë pasur në dispozicion kanë arritur me sukses të realizojnë 52.439 lëndë ë duke grumbulluar kështu 107 milion euro gjegjësisht janë realizuara vetëm 33.95 për qind e lëndëve të dorëzuara tek përmbaruesit për përmbarim. Gjykuar sipas vlerës së përgjithshme të pagesave për 10 vitet e fundit llogaritur këtu edhe 78 milion e grumbulluara për 9 muajt e parë të vitit 2016 i bie që përmbaruesit për periudhë 10 vjeçare nga qytetarët me dhunë kanë arritur me sukses të përmbarojnë rreth 1 miliard euro apo në vit 100 milion euro. Përmbaruesi Premtim Qerimi nga Kumanova thotë se nga 1 janari i këtij viti tani më ka hyrë në fuqi ligji i ri për përmbarim i cili parasheh që mos të bllokohen llogaritë bankare të qytetarëve në paraprakisht përmbaruesi nuk e njofton me shkrim qytetarin se ndaj tij po udhëhiqet lëndë për përmbarim. Ky ligj thotë Qerimi vendos një kontroll për punën e përmbaruesve që do të thotë vërejtje me shkrim deri te qytetari para se të fillohet proces për bllokim të llogarisë po ashtu duhet të zbaton edhe pagesën jashtë gjyqësore të faturave komunale. “Kjo do të thotë se faturat e prapambetura të rrymës, ujit, ngrohjes, telefonave celularë dhe fiks dhe fatura për kabllovikët, më nuk do të shkojnë në noter apo në gjyq siç kanë qenë deri më tani, por direkt debitorët do t’i dorëzojnë të përmbaruesit. Me këtë nuk do të ketë më harxhime plotësues për avokat, noter por vetëm harxhime të përmbaruesve të parapara në ligjin për përmbarim”, thotë përmbaruesi Qerimi. Sipas Qerimit nga 1 janari ndërmarrjet publike dhe firmat tjera që ofrojnë shërbime së pari do të duhet ta informojnë përmbaruesin se qytetarët u kanë borxhe të prapambetura e më pas të fillohet me procese gjyqësore. ”Më këto ndryshime u jepet mundësia që qytetarët në fazën e parë në kontakt me përmbaruesin të paguajnë borxhin dhe të mos u nënshtrohen harxhimeve plotësuese të proceseve gjyqësore si dhe harxhimeve tjera si për avokat apo noter”, thotë Premtim Qerimi, përmbarues, duke shtuar se për momentin në Maqedoni ka 99 përmbarues ndërsa numri të punësuarve në zyrat e përmbaruesve është 625 punonjës që i bie që një përmbarues të këtë angazhuar 5 perona.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.