Për nëntë muaj e parë të këtij viti përmbaruesit kanë inkasuar afërisht 76 milion euro. Kjo domethënë se ata në muaj kanë paguar nga 8.444.444 euro nga faturat apo nga prona e qytetarëve apo kompanive, ose në ditë i bie që të kenë inkasuar nga 281.481 euro, raporton gazeta KOHA. Të dhënat nga Oda e përmbaruesve përfshirë edhe tremujorin e tretë, tregojnë trend të njëjtë, stagnim të butë ashtu si vitin e kaluar sa i përket kërkesave për zbatim të detyrueshëm të pagesave. Sipas tyre, vetëm nga faturat e qytetarëve për dhjetë muajt e këtij viti përmbaruesit kanë paguar rreth 24 milion euro, ndërsa kompanitë 42,4 milionë euro. Përmbaruesit kanë arritur të paguajnë 9,1 milionë euro borxhe nga shteti. Të dhënat nga nëntë mujori i parë tregojnë se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përmbaruesit këtë vit kanë inkasuar 4 milionë euro më shumë të holla nga qytetarët, por njëkohësisht edhe tre milionë euro më pak para nga kompanitë dhe shteti. Kështu edhe shuma e përgjithshme këtë vit është më e ulët për 2,5 milionë euro krahasuar me nëntë muajt e vitit të kaluar, kur përmbaruesit kanë paguar 77,8 milionë euro, ndërsa këtë vit 75,4 milionë euro. Ndryshe, pagesa e borxhit jashtëgjyqësor, e cila si masë duhej të fillojë të zbatohet nga 20 gushti i këtij viti dhe duhej t’i ndalë bllokadat e shpeshta të llogarive të qytetarëve për borxhe simbolike të fatura komunale, është shty deri në fillim të vitit të ardhshëm. Matematikat e përmbaruesve tregojnë se nëse kompanitë tash lëshojnë kërkesa për borxhet prej 50 ose 300 denarë, shpenzimet që duhet të shlyhen arrijnë deri në 10.000 denarë. Ndryshimet e reja ligjore kanë për qëllim të mbrojnë qytetarët me borxhe të vogla, si dhe grupin e qytetarëve me rrezikuar social. Me pagesën e borxhit me marrëveshje jashtëgjyqësore, qytetarët do të “kursejnë” prej 100 deri 250 euro, sepse do të kenë afat prej 15 ditë ta paguajnë vetëm borxhin më normë interesi dhe t’ju ikin shpenzimeve tjera. Sipas njohësve, kjo automatikisht do të ishte mundësi për shmangie të harxhimeve shtesë gjatë bllokimit të llogarive të qytetarëve, të cilët kohën e fundit i kemi me dhjetëra mijëra. Praktika vitet e kaluara tregoi se për borxh prej 1.000 denarë, në fund pagesat e qytetarëve shpesh ishin më të larta se 10.000 apo 15.000 denarë për shkak shpenzimeve që duhet t’i paguajnë për avokat, noter, përmbarues, normë interesi, për bllokim dhe zhbllokim të llogarive në banka. Tani përmbaruesi do të duhet ta informojë qytetarin nëse ka borxh dhe se a ka mundësi të paguajë vetëm borxhin dhe normën e interesit në afat prej 15 ditëve. Sipas analizave të përmbaruesve, 60 deri 70 për qind nga të gjitha lëndët, të cilat i marrin për përmbarim, janë borxhe për shërbime komunale të qytetarëve. (Z.V)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara