A.M. thotë se është magjistre në sferën e jurisprudencë, por që asnjëherë nuk do të bëhet përmbaruese. “Jetojmë në një qytet të vogël ku të gjithë njihemi mes veti. Kjo do të thotë se është shumë e rëndë të realizosh një aktivitet siç është ai i përmbaruesit”, thotë ajo
Vjollca SADIKU
Dibër, 29 shkurt – Edhe pse para 14 viteve filloi me punë institucioni përmbarues gjyqësor, deri më sot asnjë jurist dibran nuk ka dhënë provimin e përmbaruesit. Dibra posedon juristë të njohur, por që asnjëri nuk dëshiron të punojë si përmbarues. Komuna e Dibrës vazhdon edhe më tej të mos ketë përmbarues gjyqësor. Këtë aktivitet në Dibër e realizojnë përmbarues nga qytetet tjera të vendit. Sipas mediatorit dhe avokatit dibran, Mislim Daçi, nga fillimi i funksionimit të institucionit përmbarues, asnjë dibran nuk ka dhënë provimin për përmbarues. Daçi shton se si shkaqe kryesore për mos dhënien e provimit për përmbarues janë mos interesimi i juristëve dibran, por edhe aktiviteti specifik i institucionet përmbarues. Në Dibër, lëndët e përmbarimit realizohen me përmbarues nga Struga dhe Ohri. “Aktualisht, në Dibër si përmbarues aktivitetet e tij i realizon një përmbarues nga Ohri”, tregon Daçi, ndërsa shton se juristët dibran vazhdojnë të mos paraqiten në konkurset për përmbarues. Ai poashtu sqaron se një nga shkaqet është edhe fakti se, për tu bërë përmbarues, nevojitet mbështetje edhe politike në nivel qendror.
Edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Dibrës, Ilir Iseni, pohon se deri tani asnjë dibran nuk ka dhënë provimin e përmbaruesit. Sipas tij, interesimi është i dobët meqë puna e përmbaruesit në qytete dhe vendbanime me popullatë më të vogël është specifike. “Gjithmonë kemi qenë të interesuar që Dibra të ketë përmbaruesin e vet, por deri tani – edhe pse ka shumë juristë të mirë, madje edhe juristë të papunë, nuk kemi kandidat nga Dibra në asnjë nga konkurset për përmbarues”, tregon Iseni.
Në bisedën që patëm me juristët e papunë, u informuam se angazhimi i tyre është më produktiv edhe jashtë sferës të arsimimit në krahasim me dëshirën që të bëhen përmbarues. A.M. thotë se është magjistre në sferën e jurisprudencë, por që asnjëherë nuk do të bëhet përmbaruese. “Jetojmë në një qytet të vogël ku të gjithë njihemi mes veti. Kjo do të thotë se është shumë e rëndë të realizosh një aktivitet siç është ai i përmbaruesit”, thotë ajo. Edhe juristët tjerë janë të këtij mendimi. Aktualisht në Dibër veprojnë katër avokatë, disa noterë, por që edhe më tej interesimi për përmbarues është minimal. Kur jemi tek kuadrot dibrane në sferën e jurisprudencës, të theksojmë se një numër i madh i dibranëve juristë sot punojnë jashtë sferës për të cilën janë shkolluar. Pikërisht për shkak të kësaj situate, në Dibër, përveç përmbaruesve nga Struga dhe Ohri, shumë shpesh në seanca gjyqësore mund të shihen edhe avokatë nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Ohri, Struga dhe Manastiri. Sa i takon institucionit të mediatorit, në Komunën e Dibrës vepron vetëm një jurist – Mislim Daçi. (koha.mk)