Të paktën 39 policë dhe 30 demonstrues u plagosën mbrëmë gjatë përleshjeve që shpërthyen para Parlamentit të Gjeorgjisë dhe që vazhduan gjatë gjithë natës.
Policia u përgjigj me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që përpiqej të hynte në Parlament, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë. Presidenti gjeorgjian, Salomé Zurabishvili akuzoi Rusinë si armike dhe okupatore duke theksuar se Moska qëndronte pas trazirave që shpërthyen në Tbilisi.
“Rusia është armike e jona dhe pushtuese. Kolona e pestë që ajo menaxhon mund të jetë më e rrezikshme se sa agresioni i hapur dhe vetëm Rusia përfiton nga një ndarje e vendit dhe kjo është arma më e fuqishme sot’’, theksoi Zurabishvili.
Rusia dhe Gjeorgjia ndërprenë marrëdhëniet diplomatike pas luftës së vitit 2008, kur trupat ruse mbërritën në portat e Tbilisit. Që atëherë, Moska njeh pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë, dy republika separatiste të Gjeorgjisë, të cilat janë bërë ”de facto” shtete satelite të Rusisë.