Përleshje me armë zjarri mes dy grupe, në restorantin e hotelit Aleksandër Pallas, në Shkup. Jo zyrtarisht mësohet se bëhet për qërim hesapesh mes dy grupeve të interesit. Sipas MPB-së ngjarja ka ndodhur menjëherë pas mesnatës. Nuk ka të lënduar por dëme materiale.
“Deri sa në restorant po qëndronin pesë persona E.I (1998) E.I (1994), O.B (1984) K.I (1978), L.Q (1994). Pesë personat të armatosur me armë zjarri, me gjasë pushkë automatike dhe pistoleta, me maska të zeza dhe të kuqe në kokë, pasi kanë dalë nga makina e tipit ‘Tuareg’ kanë hapur zjarr në drejtim të restorantit ndërsa tre prej tyre kanë hyrë në hotel duke brohoritur “policia, policia” kanë filluar të gjuajnë me armë zjarri dhe kanë lëshuar vendin e ngjarjes me makinat të tipit ‘Tuareg’ dhe ‘Porsche’ ”-thonë nga MPB.
Gjithashtu, në momentin e të shtënave, në restorant, një polic ka përdorur armën e tij zyrtare duke gjuajtur rreth 11 plumba projektil drejtë autorëve duke thënë se ai është polici. Alsat mëson se disa orë më vonë, makina e tipit “Tuareg” është gjetur e djegur në fshatin Haraçinë të Shkupit, ku janë gjetur dy pushkë automatike. Gjithashtu një makinë tjetër e dëmtuar është gjetur përball hotelit Aleksandër Pallas.
Përderisa nga jashtë duket gjithçka normale, mbrëmë në këtë hotel është zhvilluar përleshje me armë mes dy grupeve. Kërkuam që të marrim pamje nga brenda për të parë se si është situata, por nuk na u lejua. Megjithatë nga fotografitë dhe video e shkurtër që siguruam, duket se brenda po punohet për tu sanuar dëmet e shkaktuara nga plumbat.
Nga VMRO-DPMNE; duke komentuar rastin, deklaruan se kjo ngjarje, dëshmon se MPB nuk është efikase në punën e saj.
“Çrregullim dhe kaos, si gjithçka tjetër. Kriminelët mundet lirisht të marrin drejtësinë në duart e tyre, lirisht mund të pastrojnë hesape dhe përleshen. Mund të ketë viktima qytetar të pafajshëm. Policia si gjithmonë fle, respektivisht nuk vepron. Kjo nuk është vërejtje ndaj policëve të thjeshtë dhe ndaj atyre që janë profesionist dhe me nder fitojnë bukën në atë shërbim. Por është vërejtje tek ata që e udhëheqin këtë strukturë”-tha Orce Gjorgjieski, VMRO-DPMNE.
Nga MPB, shtuan se janë vënë në kërkim të autorëve të incidentit dhe po punojnë për të zbardhur në tërësi rastin. /alsat