Emri i saj tashmë është shumë i njohur për publikun mirëpo mungesa e projekteve të Leonorës po ndihet me të madhe, njihet si një prej vokalisteve më të mira që ka skena shqiptare por që këngëtarja shkupjane tashmë është shkëputur paksa nga muzika për t’ju përkushtuar më shumë vajzës. Zhvendosja në Prishtinë pas martesës më Andin e ka bërë këngëtaren të frymojë më shumë. Nuk e dimë nëse do të rikthehet me ndonjë projekt muzikorë por që në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA, Leonora Poloska vjen ndryshe
KOHA: Jetën private deri pak vite më parë e ruanit me fanatizëm, pse?
Sepse nuk ka të bëj me atë që unë veproj, në muzikë flet shpirti nëpërmjet muzikës krijon një marrëdhënie me publikun e që nuk ka të bëj jeta private me të.
KOHA: Jeni një familje artistë, bëni ndonjëherë gara brenda familjes thjesht për qejf se kush këndon më mirë nga ju?
Gara nuk bëjmë, mirëpo kur mblidhemi krijojmë një atmosferë shumë të këndshme në shtëpi.
KOHA: Ka ndonjë këngëtar, me të cilin do të këndonit në duet?
Gjithmonë kam pasur dëshirë të kem një duet me Elsa Lilën, më ka pëlqyer shumë që në fillimet e saja me modestinë skenike dhe zërin unik, mbase nuk i dihet ndoshta ndonjëherë mund edhe ta bëj të mundur.
KOHA: Nëse ndonjëherë ziheni me burrin për gjëra të thjeshta kuptohet, cili toleron i pari?
Hmm…është normale dhe të zihemi por kemi mirëkuptim dhe pse të dytë jemi kokëfortë por me kohë ia mësuam teket njëri tjetrit dhe relativizohet gjendja kritike menjëherë, është interesante se nuk mbajmë shumë inat gjatë.
KOHA: Leonora fëmijë, a ka qenë një vajzë interesante?
Si fëmijë kam qenë e urtë në shkollë, në rrethin familjarë, shoqëri, por kam pasur egon kur kam interpretuar ndonjë gjë ose imitim jam transformuar plotësisht në tjetër person gjë që e kam edhe sot e kësaj dite.
KOHA: Kujt ia rrëfeni sekretet tuaja?
Sekretet i flas me njerëz të afërt, nuk mbaj brenda fshehtësi sepse nuk i frikësohem askujt.
KOHA: E planifikoni ditën, apo e lini të rrjedhë?
Nga natyra, gjithmonë kam bë plane dhe asnjëherë nuk janë realizuar si kam dashur e kur kam njohur me Andin, me pati thënë njëherë nëse do me e shti Zotin me qesh, thuaj dikujt kam plane, e gradualisht fillova ta praktikoj, po i lë gjërat të rrjedhin vetë.
KOHA: Kur keni dalë për herë të fundit tek farefisi juaj?
Zakonisht kur shkoj në Shkup, e lëmë takimin dalim diku me farefis e çmallemi.
KOHA: Mbani mend qortimin e fundit më të rreptë që iu ka bërë nëna juaj dhe ju ja bëni vajzës tuaj?
(Qesh), mbaj mend njëherë kur kam qenë në klasë të 5 dhe shkova te një shoqe prej shkolle e u vonova, nëna ime ishte mësuese në të njëjtën dhe nuk kishte si mos kuptonte. U nisëm për në shtëpi, nuk foli asnjë fjalë dhe kur arritëm, në gjuhën popullore nja dy-tre shuplaka (qesh) dhe më asnjëherë nuk ka ndodhur. Andora është ende e vogël, por edhe kur të rritet nuk besoj se do e qortoj.
KOHA: Kush ka ndikim më të madh mbi ju për t’ju bindur për diçka?
Ndikime gjithmonë ka pas, jam tolerante dhe shumë e hapur për sugjerime, por gjithmonë kam vendosur vetë për çfarëdo çështje në jetë.
KOHA: Cila ka qenë ëndrra më e bukur që keni parë?
Ëndrra shoh shpesh të mira, të këqija, por shumë gëzohem kur në ëndërr takoj njerëzit që i kam dashur më së shumti e që më nuk janë.
KOHA: Nga kush turpëroheni më shumë?
Nga vetja më së shumti nëse ndodh që gaboj me ndonjë veprim timin e që kam bërë të ndihet keq dikush tjetër atëherë më vjen turp, por rrallë ndodh sepse mundohem të jem e vetëdijshme në përditshmëri.
KOHA: Meqë po flasim për turpin, keni bërë ndonjëherë diçka kur keni qenë pak më i vogël, nga e cila tani do t’ju vinte turp?
Ndoshta dhe kam bërë, por nuk më kujtohet sepse edhe si fëmijë kam qenë gjithmonë në sy të tjerëve, gjë që të bën të mbash përgjegjësi edhe në atë moshë.
KOHA: Nëse edhe një herë do të mundnit të rifillonit karrierën tuaj, do të ndryshonit diçka?
(Qesh), e mendoj shpesh por ndoshta nuk do ja filloj fare për shkak se është diçka e rrejshme është mashtrim për veten sepse rritesh dhe zhvillohesh duke qenë në piedestal zhvillohet egoja poashtu e në momentin kur e kupton se je vetëm një njeri i thjeshtë që ke talent dhe do të ndash me tjerët e në fakt të bën të ndihesh personi më i vetmuar në botë.
KOHA: Jeni dehur ndonjëherë edhe pa pirë fare alkool, p.sh thjesht nga qejfi?
Jo.
KOHA: Kush i menaxhon të hollat që fitoni?
Kur kam qenë më e re, gjithmonë punën e parave ua kam besuar prindërve, kanë qenë njerëzit më relevant që kanë ditur të menaxhojnë se unë fort nuk kam ditur ti ruaj (qesh) dhe sot vazhdoj mos të di të ruaj.
KOHA: Përveç muzikës, me çka tjetër do t’ju pëlqente të merreni dhe pse?
Shumë më pëlqen të gatuaj, e bëj me shumë dashuri, kam qejf të krijoj receta të reja poashtu edhe fëmijët i dua shumë e ndoshta ndonjë profesion që ka të bëj me ata.
KOHA: Ju, këngëtarët, zakonisht thoni se i duam të gjitha këngët njësoj. Këtë e dimë. Ne duam të mësojmë nga ju se cilën nga këngët tuaja tani do të dëshironit ta fshinit fare?
(Qesh), kur i dëgjoj ndonjëherë ose i shikoj klipet qeshem, nuk më besohet por pastaj them për atë kohë ka qenë ok, njeriu ndryshon e shija poashtu andaj për atë kohë ashtu jam ndier dhe automatikisht nuk e gjykoj as veten e as këngët.
KOHA: Me siguri qe i lexoni gazetat dhe i shikoni TV. Çfarë ju pëlqen në këto media e çfarë jo?
Të them të drejtën, 100% të kohës e kaloj me vajzën, shohim e dëgjojmë këngë për fëmijë, ajo është gjëja më e rëndësishme për mua, jam shkëputur nga mediat dhe nuk i përcjelli si dikur.
KOHA: Do të pranonit të këndonit ndonjë këngë folklorike me çifteli dhe ju të ishit e veshur me veshje kombëtare?
Po, pse jo shumë ide interesante e që se paskam menduar më parë.
KOHA: Do ta ndërronit Prishtinën me ndonjë vend tjetër për të jetuar?
Me Shkupin (qesh).