(Përkitazi me botimin e “DORACAK PËR NËPUNËSIT E ADMINISTRATËS SË SHTETIT DHE PËR QYTETARËT”)
Nga Shaqir ISLAMI
Agjencia e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Zbatimin e Gjuhëve (AZGj) – edhe përkundër vështirësive të dukshme, bile edhe të zhurmshme– vazhdon me punën e palodhshme dhe këmbëngulëse të saj. AZGj me në krye drejtuesin Ylber Sela, është e përkushtuar dhe e vendosur në përmirësimin dhe përparimin e të drejtës kolektive universale të kumtimit (komunikimit) në gjuhën amtare midis qytetarëve shqiptarë dhe të institucioneve të Shtetit. Qëllimi i mirëfilltë i Agjencisë dhe i dobishmërisë së ndërsjellë është që të krijohet mirëbesimi midis institucioneve të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.
Nisur nga përkufizimi i shkencës së kumtimit (komunikacionit) se, ky është një proces i shkëmbimit të kumtesave për të krijuar domethënien ose kuptimin mes veti. Pra, çdo gjuhë, qoftë e madhe ose e vogël, e ka vetëm një qëllim; e kjo është që të kuptohen njerëzit mes veti.
Pas dy konferencave të organizuara nga AZGj– në vendin tonë – për shumë-gjuhësinë dhe për zanatin e përkthimit, si dhe të publikimit të broshurave si ‘vegla praktike’, përmes të cilave, qytetarët informohen për t’u ndërgjegjësuar që ta pranojnë dhe ta kërkojnë ndryshimin e mendësisë së vjetër; dhe nga ana tjetër të lehtësohet zbatimi i gjuhës shqipe në kumtimin e përditshëm të qytetarëve me institucionet e shtetit(dhe mes veti), u promovua ‘Doracaku’ si vepra e radhës nga ky institucion i Qeverisë.
Pra, më 19 gusht, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve promovoi edhe një prodhim të saj, “Doracak për Nëpunësit e Administratës” së Shtetit dhe për qytetarët e rëndomë. Përveç se, ky doracak do shërbejë si një vegël praktik për kumtimin e institucioneve, si mes veti,njashtu edhe me qytetarët;gjithashtu, do t’u shërbejë edhe për lehtësimin e kumtimit të qytetarëve me institucionet e administratës së shtetit.
Siç ceku –në fjalimin përshëndetës me rastin e promovimit të doracakut – Drejtori i AZGj’së, Dr.Ylber Sela, për natyrën praktike dhe dobishmërinë e mbarë shoqërisë që sjell kjo vepër e botuar : “Ky doracak i udhëzon konkretisht dhe ua sqaron mirë nëpunësve të administratës, i orienton me shumë saktësi kah e drejta ligjore dhe ndërgjegjëson ata për shfrytëzimin praktik të saj”.
Doracaku u zhvillua dhe u përpunua – në bazë të idesë dhe nismës së udhëheqjes së AZGj’së, me në krye drejtorin e saj – nga një grup i zgjedhur studiuesish dhe hulumtuesish të fushës së gjuhës dhe të kumtimit si, profesorë dhe ligjërues të nderuar; të cilët janë edhe bashkëpunëtorë dhe këshillues të rregullt të kësaj Agjencie të Qeverisë.
Pra, është rendi t’i cekim autorët e këtij doracaku, në shenjë nderimi dhe falënderimi për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre; si dhe shumë gjuhëtarëve dhe individë tjerë nga qarqet akademike të shoqërisë sonë, që japin ndihmesë dhe sugjerime të dobishme për përparimin dhe përmirësimin e statusit të gjuhës shqipe si mjet kumtimi(komunikimi) të institucioneve të shtetit me qytetarët shqiptarë, dhe anasjelltas.
Autorët e përpilimit të doracakut janë: Prof. Dr. Xhevat Lloshi; Prof. Dr. Ajten Hajdari – Qamili; Prof. Dr. Izer Maksuti; Prof. Dr. Asllan Hamiti; Prof. Dr. Bashkim Selmani; Prof. Dr. JusufZejneli; Prof. Dr. Zeqirija Ibrahimi; Dr. Ismail Hamiti dhe Xhemi Hajredini.
Doracaku është ndarë në dy pjesë. E para përmban shpjegime nga secili autorë për fushë të caktuar që ka të bëjë me Ligjin për Zbatimin e Gjuhëve. Jusuf Zejneli shtjellon temën “Hartimi i Legjislacionit në RMV”, Zeqiria Ibrahimi shpjegon “Planifikimi Gjuhësor në MeV”, Izer Maksuti na sjell përvojat europiane të politikave gjuhësore “Politikat Gjuhësore Europiane”, Xhevat Lloshi flet për “Leksikun Shoqërorë Politik” dhe në fund është një shtjellim shpjegues dhe i dobishëm i Xhemi Hajredinit me titull “Komunikimi Ndërinstitucional dhe Komunikimi i Institucioneve me Qytetarët”.
Pjesa e dytë e “DORACAKUT PËR NËPUNËSIT E ADMINISTRATËS SË SHTETIT DHE PËR QYTETARËT”, e përshkruan zbatimin e teorisë së punës në praktikë, me qëllimin më të mirë që, të arrihet një kumtim sa më të qartë mes të gjitha subjekteve që marrin pjesë në këtë proces të përbashkët,si ndërmjet administratës së institucioneve, ashtu edhe të kumtimit të institucioneve me qytetarët, dhe anasjelltas.
Një doracak i këtij lloji ka munguar për qytetarët, dhe prandaj, sjell njohuri të rëndom për veglat e komunikimit administrativ. Siç thuhet nga autorët, gjuha administrative njihet për nga stili shtetërorë administrativ, i cili duhet të jetë i saktë, fjalëpakë, dhe kuptimplotë. Këtu shpjegohen nocione të përditshme që i has njeriu në komunikimin me administratën.
Doracaku shpjegon fjalët dhe nocionet në administratën e drejtësisë:ligj, vendim, urdhëresë, padi, aktakuzë, etj. Pastaj, shpjegon shkresat: vërtetim, deklaratë, kërkesë, autorizim, procesverbal, etj. Të gjitha këto thjeshtësohen dhe shpjegohen në këtë doracak.
AZGj, ka bërë një punë shumë të dobishme, për shkak se ky doracak do del në ndihmë si të administratorëve, ashtu edhe qytetarëve. Kumtimi i qytetarëve shqiptarë me institucionet dhe anasjelltas, ka qenë dhe ende është – për një shumicë dërmuese të qytetarëve – një ndër hallet më të mëdha, si dhe një katalizator për metastazimin e korrupsionit në çdo segment të jetës shoqërore, ekonomike dhe politike.
Ndonëse, gjuha zyrtare institucionale ishte vetëm gjuha Maqedonase, kumtimi i qytetarëve shqiptarë me administratën dhe institucionet e shtetit ishte qëllimisht i pamundësuar ose, së paku i vështirësuar skajshmërish. Kjo ishte dhe shkaktari dhe nxitësi i mosbesimit dhe jo-besnikërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit. Ky kumtim (komunikim) një kahesh i institucioneve me qytetarin shqiptar ishte tërësisht jo funksional dhe problematik, e cila në shumicën e rasteve shfaqej në formë krizash të rënda në shoqërinë tonë. Ende mbahet në mend, këmbëngulja jonë në të drejtën e pamohueshme për shkollimin universitarë në gjuhën shqipe. Kriza përfundoi, pasiu derdh gjak për këtë të drejtë universale.
Prandaj, roli i AZGj’së në fuqizimin e kohezionit shoqërorë, në përmirësimin dhe lehtësimin e funksionimit të administratës shtetërore, në marrëdhëniet e përditshme dhe të ndërlikuara të institucioneve të shtetit me qytetarët është shumë-faqesh. AZGj i ve themelet e një marrëdhënieje barazie midis shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Për këtë shkak, kjo agjenci ka një peshë specifike që duhet përkrahur dhe jo të vështirësohet edhe më shumë veprimtaria e saj me sulme dhe porosi politike. Por, veprat flasin më zëshëm se fjalët, apo jo!