Shkup, 16 shkurt – Në organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (SHVL-UÇK), sot në Tanushë të Shkupit u shënua 16 vjetori i luftës së vitit 2001, ndërsa u përkujtuan dy dëshmorët e kësaj beteje – Muzafer Xhaferi dhe Shpend Mazrekaj. “Gjaku i Muzaferr Xhaferit, Nijazi Sinanit, Gazmend Arifit, Sahit Sejdiut, Naim Limanit, Fejzulla Shaqirit, Shpend Mazrekut, Ismet Bajramit, Qemal Shaqirit, Elham Currit, Gazmend Arifit, Nijazi Sinanit.., e te gjithë dëshmorëve të Atdheut neve sot, nuk do të na ngrohte ky diell ! Shpirtrat e Dëshmorëve të Atdheut do të qetësohen vetëm atëherë kur familjet e tyre, do të kenë statusin e zgjidhur dhe Amaneti i tyre të realizohet plotësisht. Përndryshe ne të gjithë shokët dhe bashkëluftëtarët do të mbetemi të dështuar e të turpëruar ! I përjetshëm kujtimi, për Dëshmorët e Atdheut. Lavdi”, tha në fjalimin e tij, Fatmir Limani, përfaqësues i SHVL-UÇK. Të pranishëm në homazhe ishin ish-ushtarë, bashkëluftëtarë të Muzaferit dhe Shpendit, deputetë, dhe zyrtarë tjerë nga partia e Ali Ahmetit, ndërsa përkujtuan fillimin e luftimeve në Tanushë. Në ndërkohë, kurora lule janë vënë edhe në vend-prehjet e dëshmorëve tjerë që dhanë jetën në fshatrat tjerë të Malësisë së Karadakut.