Partia Demokratike ka përkujtuar sot 19-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha u zotua se në kuadër të vlerave e idealeve të një prej eksponentëve të shquar demokrat “nuk do të pranojë kurrë një diktaturë të re të krimit dhe drogës.
“Bashkimi në vlerat më të mira patriotike, atdhetare, në një shoqëri dhe vllazëri politike që e ka emrin PD, por dhe shumë më gjerë se kësaj, mirënjohja dhe krenaria dhe sensi i kurajos na bashkon e do të na bashkojë përherë. Vijmë këtu përulësisht, dhe vendosmërisht për të mos e tradhëtuar kurrë kujtimin e Azem Hajdarit, as vlerat për të cilat ai ra hero në altarin e përjetshëm të demokracisë. Vijmë për tu zotuar se kurrë më në nuk do të pranojmë një diktaturë të re të krimit, drogës dhe autokracisë. Duke luftuar dhe fituar për to, nderojmë përditë kujtimin e Azem Hajdarit”, u shpreh Basha.
“Të ngrihemi sa herë që të rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën dhe sot më të vendosur se kurrë për idealet, të cilat ai flijoi jetën e tij. Le të na frymëzojë guximi, trimëria e tribunit tonë legjendar për të realizuar sa më shpejt dhe sa më të vendosur idealet për të cilat ai ra”, u shpreh Sali Berisha.
Ndërsa vajza e Azemit, Rudina Hajdari, që sot është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, tha se do të ecë në gjurmët e të atit për të qënë një zë i fortë i opozitës shqiptare.