Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 mars – Shteti sivjet do të ndajë 6 miliardë e 210 milionë denarë në emër të subvencioneve të bujqve. Nga këto mjete tre miliardë e 300 milionë denarë janë për pagesën e subvencioneve të vitit të kaluar, ndërsa pjesa e mbetur prej 2.9 miliardë denarë parashikohen për pagesën e subvencioneve të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Subvencionet në vlerë prej afër 140 milionë euro që do të paguhen për dy vite kalendarike për 2017 dhe deri 30 qershorit të këtij viti për shkak se viti bujqësor nuk përputhet edhe me vitin vijues kalendarik.
Nga totali i mjeteve, një miliardë e njëqind milionë denarë për blegtorët për kultivimin e kafshëve dhe një miliardë e 500 milionë denarë për fermerët në prodhimtarinë bimore. Sivjet janë rritur edhe mjetet buxhetore për mbrojtjen veterinare dhe sigurinë e ushqimit.
“Në programin për përkrahje financiare të bujqësisë implementohen masat për përkrahjen e të ardhurave të ekonomive bujqësore, apo masat për pagesë direkte në prodhimtarinë bimore dhe blegtorale, si dhe masat për përkrahje shtesë si ndihma për preminë dhe sigurimin, mbrojtjen e tokës bujqësore, ndihmë për humbjet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe kushtet e pavolitshme klimatike që kanë ndodhur në vitin 2016 dhe vitin 2017. Parashikohen edhe mjete shtesë për magazininimin e grurit nga prodhimtaria vendore të vitit 2018”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Sivjet parashikohen edhe kritere të reja për subvencionimin e kulturave të drithërave.
Prodhuesit e misrit, drithërave dhe kulturave industriale, në rast se kanë përdorur fara të sertifikuara do të fitojnë 12 mijë denarë për hektarë për minimum 0.3 hektarë të mbjella. Për hapësirat prej 5 deri 50 hektar me fara të zgjedhura do të fitohen 14.400 denarë për hektar. Bujqit e tjerë që do të mbjellin me fara të rëndomta do të fitojnë 6000 denarë apo dyfish më pak subvencione për një hektar.
Njëherazi përkrahja financiare do të zvogëlohet edhe në përqindje në varësi prej madhësisë së hapësirave që mbillen. Për fushat të madhësisë prej 10 deri 50 hektarë do të fitohen 5760 hektarë shtesë, nëse plotësojnë kushtin e përdorimit të farave të sertifikuara dhe fitojnë rendimente më të mëdha se 4000 kilogramë për misrin, 3000 denarë për kulturat e tjera të drithit dhe apo 1800 kilogramë për hektar të lulediellit.
Për rikonstruimin e pemishteve parashikohen mjete prej 4500 deri 9900 denarë për hektar.
Për kultivimin e perimeve dhe bimëve aromatike do të fitohen 30 deri 36 mijë mijë denarë për 0.7 hektarë ose për maksimum 5 hektarë. Për pemët dhe perimet e dorëzuara në kapacitetet prodhuese do të fitohen edhe 3 denarë shtesë për kilogram.
Subvencionet për kultivimin e dredhëzave nën serra janë 99 mijë denarë për hektarë, ndërsa prej 33 deri 39.600 denarë janë për një hektarë të pemëve të tjera më të shpeshta. Subvencionet për arra janë dhe gështenja janë 15 deri 18 mijë denarë prej një deri pesë hektarë të mbjella. Me programin për përkrahje të bujqësisë edhe sivjet do të fitojnë 2000 denarë shtesë kultivuesit e rasës vendore të Bushës, ndërsa plus 550 denarë do të fitojnë kultivuesit e racës pramenka dhe racës ballkanike të dhenve. Shfrytëzues të këtyre mjeteve janë ekonomitë bujqësore që kultivojnë së paku nga 50 dhi dhe dhen. Subvencione do të fitojnë edhe kultivuesit për qenin e Sharrit në vlerë prej 3000 denarë për një qen. Qentë duhet të kenë mikroçip në ditën e parashtrimit të kërkesës, ndërsa maksimum mund të paraqiten shtatë qen për një ekonomi bujqësore. Këto raca autoktone subvencionohen që të zvogëlohet rreziku që ato tërësisht të zhduken nga fshatrat dhe kullosat në Maqedoni.
Me buxhetin e këtij viti parashikohen edhe 50 milionë denarë për vërshimet, thatësirat dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga moti në vitin 2016 dhe 50 milionë denarë mbështetje shtesë për bujqit e dëmtuar në vitin 2016. Gjithashtu edhe për vitin 2017 do të ndahen nga 50 milionë denarë për kompensimet dhe ndihmë shtesë në vlerë prej 50 milionë denarë për dëmet e shkaktuara.
Blegtorët që do të kultivojnë lopë do të fitojnë 2800 denarë për kafshë, ndërsa në mënyrë shtesë do të fitohen subvencione prej 1500 denarë për lopë jo më të vjetra se 12 deri 24 muaj deri në tetor të vitit 2018 që nuk prodhojnë qumësht. Për gjedh të dorëzuar apo të therur në thertore, për periudhën prej majit të viti 2017 deri në prill të vitit 2018, fermerët do të fitojnë nga 1500 denarë. Kultivuesit e me së paku 30 dhen të regjistruara do të fitojnë nga 1000 denarë, ndërsa për çdo dele do të fitojnë nga 700 denarë. Për qumështin e dorëzuar në qumështoret mbetet pagesa prej 3.5 denarë , ndërsa për qumështin e dorëzuar të dhenve dhe dhive rritet subvencioni për litër për gjysmë denari dhe do të jetë 4 denarë. Ndryshe, nga Ministria e Bujqësisë kanë paralajmëruar se subvencionet do të paguhen në kohën kur më së shumti ju nevojiten bujqve dhe atë para mbjelljeve. (koha.mk)