Në total, përkrahja e përgjithshme financiare për fermerët përmes masave të ndryshme në bujqësi kap vlerën prej 160 milionë euro. Në këtë shumë, 140 milionë euro janë vetëm mjete në pjesën e subvencioneve, IPARD, bashkëfinancimin kombëtar të zhvillimit rural…
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 prill – Fermerët deri më 30 maj do të mund të aplikojnë për të fituar subvencionet bujqësore për vitin 2019. Nga Agjencia për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillimin rural thonë se ekonomitë bujqësore në periudhën e ardhshme prej gati një muaj e gjysmë do të parashtrojnë dokumentacionin e nevojshëm për apo kërkesat sipas Programit për përkrahje financiare në bujqësi për prodhimtarinë bimore apo për kulturat lavërtare si drithërat, bimët foragjere, hardhive të rrushit, si dhe për prodhimtarinë blegtorale apo për kultivimin e lopëve, dhenve, dhive, bletëve, derrave dhe kafshëve që theren në thertore, shkruan gazeta KOHA.
VENDOSET EDHE MASA E RE PËR NAFTËN E GJELBËR
“Kërkesat për fitimin e përkrahjes financiare parashtrohen përmes rrugë elektronike nga vetë aplikuesit. Ato parashtrues të kërkesave që nuk dinë vetë të bëjnë një gjë të tillë apo kanë nevojë për ndihmë gjatë aplikimit elektronik ,mund të drejtohen deri tek njësitë rajonale të Ministrisë së bujqësisë”, thonë nga Agjencia për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillimin rural.
Nga atje shtojnë se kërkesat për masat që kanë të bëjnë për prodhimtarinë bimore parashtrohen në bazë të të dhënave të evidentuara për parcelat në regjistrin unik të ekonomive bujqësore dhe në sistemin për identifikimin e parcelave tokësore përfundimisht me datën 15 mars i vitit 2019. Nga ana tjetër, kërkesat për masat e prodhimtarisë blegtorale të kafshëve parashtrohen në bazë të dhënave për kafshët e evidentuara në regjistrin unik për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shtëpiake me gjendjen deri në datën e parashtrimit të kërkesës. Njëherazi rikujtohen fermerët, që para se të parashtrojnë kërkesat në mënyrë obligative të kontrollojnë, dhe sipas nevojës edhe azhurnojnë gjendjen me kafshët në shoqatat e veterinerëve me të cilat kanë nënshkruar marrëveshje. Njëherazi të gjitha shfrytëzuesit e subvencioneve për bagëtitë nevojitet që gjatë aplikimit dhe fitimit të kopjes së shtypur të kontrollojnë mirë, dhe nëse ka ndryshime të caktuara që në afat prej 30 ditësh nga dita e aplikimit të kryejnë korrigjimet e nevojshme.
Në ndërkohë sivjet vendoset edhe masa e re nafta e gjelbër për 55 mijë fermerë në vlerë prej 200 milion denarë. Për shkak se bëhet fjalë për masë të re, fillimisht bashkëfinancimi do të jetë në nivelin prej 30 për qind të harxhimeve, me mundësi që më vonë edhe të rritet kjo përqindje. Një masë e tillë pritet që dukshëm të ulë koston e prodhimtarisë bujqësore. Sivjet nis edhe një risi tjetër për ekonomitë e vogla bujqësore që posedojnë deri një hektar tokë, që ka për qëllim të ndajë masat zhvillimore nga ato sociale. Subvencionet për bujqit që kanë deri më 0.5 hektarë do të jenë 6000 denarë për hektar, ndërsa 12 mijë denarë do të jenë subvencionet për bujqit që kanë 0.5 deri 1 hektarë tokë. Kjo masë do të përfshijë 13 mijë bujq që vështirë mund të plotësojnë standardet që vendoset në procesin e harmonizimit me BE-në. Njëherazi me këtë masë do të rritet shuma që ndahet për këto bujq nga 49 në 130 milionë denarë.
Këtë vit do të rritet edhe përkrahja financiare për mirëmbajtjen e plantazheve të mollëve prej 33 mijë në 41 mijë denarë për hektarë, ndërsa për kultivuesit që kanë 1 deri 5 hektarë, përkrahja rritet 39.600 denarë në 50 mijë denarë.
Në kultivimin e perimeve do të lehtësohen kriteret, apo do të paraqitet për subvencionim totali i tokës së mbjellë për të gjitha kulturat e perimeve. Kjo nënkupton se bujqit do të mund të aplikojnë për subvencione me hapësirë minimale prej 0.2 hektarë, dhe jo si deri më tani për minimum 0.2 hektarë për kulturë bujqësore. Në këtë mënyrë pritet të ulet dukshëm numri i bujqve që në vitet e kaluara janë refuzuar për shkak të procedurave administrative, ndërsa pritet edhe të rritet numri i aplikuesve që kultivojnë perime. Rritet edhe përkrahja financiare për orizin për hapësirat bujqësore prej 5 deri 50 hektarë me fara të certikuara. Prej 6000 në 18000 denarë për hektar rritet subvencioni për bujqit që nuk përdorin fara të certifikuara. Njëherazi kultivuesit e lule diellit do të fitojnë 23.160 denarë për hektar, që si masë vlen për fermerët që kanë 5 deri 50 hektarë dhe përdorin material të certifikuar për mbjellje. Nëse i kthehemi prodhimtarisë blegtorale , rriten subvencionet për litër të dorëzuar të qumështit të dhenve dhe dhisë prej 4 në 4.5 denarë. Rritet nga 33 në 40 denarë edhe subvencionet për brojlerët apo pulat që rriten dhe theren.
Vazhdohet edhe me masën që parashikon 20 për qind subvencione më të larta për prodhimtarinë bimore për fermerët me potencial zhvillimor dhe me 10 për qind subvencione më të larta për blegtorinë për kategorinë e njëjtë të bujqve.
PËRKRAHJA DIREKTE DO TË ZVOGËLOHET NË LLOGARI TË ZHVILLIMIT RURAL
Sivjet në programet vetëm për subvencionet e bujqve parashikohen 99.8 milionë euro apo 10 milionë euro më pak në raport me vitin paraprak. Mirëpo nga Ministria e Bujqësisë thonë se përkrahja direkte do të zvogëlohet në llogari të rritjes së programit për zhvillim rural. Nga atje shtojnë se një pjesë e masave të Programit për përkrahje direkte do të realizohen përmes programit për zhvillim rural të mbështetura nga IPARD dhe fondet evropiane, me qëllim që së më shumë mjete financiare të hyjnë në prodhimtarinë bujqësore dhe blegtorale në vend.
Në total për fermerët, përkrahja e përgjithshme financiare përmes masave të ndryshme në bujqësi e ka vlerën prej 160 milionë euro. Në këtë total, 140 milionë euro janë vetëm mjetet në pjesën e subvencioneve, IPARD, bashkëfinancimin kombëtar të zhvillimit rural.
Njëherazi është vendosur edhe limiti pas më shumë rekomandimeve të ekspertëve për ndarjen e maksimum deri më 300 mijë euro të subvencioneve për një përfitues. Para gati një muaj qeveri miratoi edhe nënshkrimin e 206 marrëveshjeve për ndërtimin e infrastrukturës në vendbanimet rurale, si dhe për rrugë, tregje të gjelbra, kanalizime… me një buxhet prej 38 milion euro ku çdo komunë do të fitojë maksimum 3 projekte. Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale pritet që të publikohen edhe shpalljet për furnizimet publike. Gjithashtu, pritet që të shpallet edhe thirrja e re për furnizimin me mekanizim bujqësore me një fond të vlefshëm 60 milionë denarë.
Gjithashtu në favor të modernizimit të bujqësisë vendore parashikohen edhe ndërtimi i më shumë qendrave grumbulluese të pemë perimeve , ndihmë për investime në industrinë ushqimore, masa të reja të masës IPARD, është rritur nga 14 në 91 milion denarë mbështetje për blerjen e kafshëve për mbarështim etj
Ndryshe, mjetet për përkrahje financiare në bujqësi apo subvencionet sivjet kanë vlerën prej 6.138.767.000 denarë apo afër 100 milionë euro, që do të realizohen përmes 140 programeve të ndryshme. Subvencionet për prodhimtarinë bimore janë të vlefshme afër 33 milionë euro si thelbi apo mbështetësi kryesor i prodhimtarisë blegtorale. Për prodhimtarinë blegtorale sivjet do të ndahen afër 16 milionë euro. Këto dy masa parashikojnë përkrahjen për të ardhurat në ekonomitë bujqësore, ndërsa në buxhet parashikohen edhe 8 lloje të tjera të përkrahjes për fermerët, si pjesë e subvencioneve. (koha.mk)