Shkup, 22 maj – Ligji për regjistrimin e popullsisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e ardhshme do të miratohet dhe i njëjti do t’i dorëzohet Parlamentit për votim. Këtë e bëri të ditur në konferencë për shtyp zëdhënësit të Qeverisë, Muhamet Hoxha.
“Nuk do të ketë ndonjë pengesë në këtë drejtim, por ka pasur disa ndërhyrje të natyrës teknike në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Ky ligji pitet të miratohet në mbledhjet të Qeverisë”, tha zëdhënësi Hoxha.
Ndërsa sa i përket idesë së mbajtjes së mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hoxha tha se siç është i informuar edhe opinioni, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në kuadër të bashkëpunimit rajonal ka pasur dhe në vazhdim do të ketë mbledhje qeveritare të përbashkëta me shtet fqinje, kuptohet që deri më tani janë realizuar mbledhje qeveritare të përbashkët me Republikën e Serbisë, Bullgarisë, Shqipërisë, pas dy dite do të realizojmë takim edhe me qeverinë e Malit të Zi, dhe e njëjta në një kohë të afërt do të realizohet edhe me Republikën e Kosovës.
Në vazhdim zëdhënësi Hoxha informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë do të hapin Qendra informative kulturore në Shkup dhe Tiranë, me anë të cilave edhe më tepër do të intensifikohen relacionet në të gjitha veprimtaritë nga fusha e kulturës, prezantimit dhe afirmimit të kulturave të dyja vendeve. “Në mbledhjen e fundit, Qeveria miratoi Propozim- ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë për themelimin e qendrave Kulturore-Informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe qendrave Kulturore- Informative në Republikën e Shqipërisë”, tha Hoxha .
Sipas tij hapja e Qendrave kulturore do të kontribuojë për popullarizimin dhe prezantimin e traditës, kulturës dhe artit të të dy vendeve e popujve dhe do të mundësojë informim në kohë dhe të saktë për qytetarët në lidhje me rrjedhat aktuale kulturore në të dyja shtetet dhe do të paraqes një urë për afrimin dhe njohjen e ndërsjellë në mes dy popujve.
Ndryshe Maqedonia e Veriut deri më tani ka hapur Qendër informative kulturore në Sofje, Stamboll dhe në Nju Jork. (koha.mk)