Liga italiane e futbollit i ka ndezur dritën jeshile klubit të Fiorentinës që në shiritin e kapitenit që do të mbajë argjentinasi German Pezzela të përjetësohet emri i ish kapitenit të ndierë Davide Astori. Liga italiane e futbollit vendosi që në këtë sezon shiriti i kapitenit te të gjitha skuadrat e Serie A të jetë standart dhe jo i personalizuar. Por liga e futbollit ka bërë një përjashtim për Fiorentinën në nder të kapitenit Astori që u nda nga jeta muaj më parë. German Pezzela do të jetë i vetmi kapiten i skuadrave të Serisë A që do të ketë një shirit të personalizuar pikërisht të njëjtin shirit që mbante Astori sezonin e kaluar. Në shirit janë inicialet e emrit të Davide Astorit dhe numri i tij 13 i cili është tërhequr nga klubi vjollcë.