Mbrojtësi i Koresë së Jugut Jang Hyun-soo është përjashtuar përjetësisht nga kombëtarja, si dhe është gjobitur me rreth 23 mijë euro, për shkak se ka falsifikuar të dhënat në lidhje me përjashtimin nga shërbimi i detyruar ushtarak.
Gjithë meshkujt e aftë fizikisht duhet të kryejnë thuajse 2 vjet shërbim ushtarak, si pjesë e gatishmërisë për çdo problem që mund të krijohet me Korenë e Veriut, por sportistët mund të përfitojnë dhe të përjashtohen nga shërbimi ushtarak, nëse fitojnë një medalje në Lojrat Olimpike, apo medalje ari në Lojrat Aziatike.
Si pjesë e kushteve të përjashtimit, sportistët duhet të kryejnë 4 javë përgatitje ushtarake bazë dhe të kryejnë më shumë se 500 orë shërbim në komunitet, në harkun e 3 viteve.
Jang, i cili ka luajtur 58 ndeshje për kombëtaren dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi medaljen e artë në Lojrat Aziatike në vitin 2014, ka pranuar se ka paraqitur të dhëna të falsifikuara në lidhje me orët e shërbimit në komunitet që ka kryer.
Federata e Koresë së Jugut u mblodh këtë të enjte për të vendosur në lidhje me ndëshkimin ndaj 27-vjeçarit, i cili luajti në të gjitha ndeshjet e Koresë së Jugut në Kupën e Botës në Rusi. Në përfundim, është vendosur që Jang të përjashtohet nga kombëtarja dhe të gjobitet.
Përveç kësaj, ministria e sporteve ka vendosur edhe 5 ditë shtesë shërbim të detyruar. Jang ka kërkuar falje publike dhe ka deklaruar se do të anojë çdo vendim. “Më vjen keq që kam zhgënjyer çdokënd për këtë çështje kaq të sikletshme dhe të turpshme”, shprehet futbollisti në një deklaratë publikuar në faqen e federatës.
Përjashtimi nga shërbimi i detyruar ushtarak ekziston që në vitet ’70, kur Korea e Jugut po mundohej të kthehej në një superfuqi sportive, por ka vite që ky rregull po kritikohet dhe në Korenë e Jugut shumë njerëz e shohin si një avantazh të pamerituar.