Shkup, 6 qershor – Të akuzuarit e grupit të Kumanovës, kryesisht ato që vijnë nga Kosova, të martën përsëri e kanë kundërshtuar Trupin gjykues, duke u arsyetuar se ky proces gjyqësor është një maskarallëk i madh që nuk synon zbardhjen e ngjarjeve të majit të vitit 2015, shkruan gazeta KOHA. Ashtu si herën e kaluar, edhe kësaj radhe – i akuzuari Shefqet Kallaçi ishte personi që u ngrit i pari dhe kërkoi sqarim nga gjykatësja Verka Petrovska, për atë se kush është personi i vdekur me uniformë të UÇK-së, të cilin ata nuk e njohin. “Gjatë prezantimit të fotografive të obduksioneve, prokuroria ka publikuar një foto të një personi të vdekur mee uniformë të UÇK-së, për të cilin thuhet se ka ndërruar jetë në Lagjen e Trimave, mirëpo ne nuk e njohim se kush është ai njëri. Për këtë arsye, duam të na tregohet identiteti i tij, ngase ai nuk është pjesë e grupit tonë”, tha i akuzuari Kallaçi. Pas kësaj, gjykatësja Petrovska, urdhëroi që ky i akuzuar të përjashtohet nga salla gjyqësor. Situata e tensionuar në seancën gjyqësore, e cila u mbajt të martën, ndikoi që pas Kallaçit, kundërshtimin e tyre ndaj Trupi gjykues ngjashëm si herën e fundit, ta bëjnë edhe të akuzuarit tjerë. Pjesa dërmuese e tyre gjatë shprehjes së revoltës për mënyrë e drejtimit të këtij procesi gjyqësor, thanë se ky gjykim gjithçka i ngjanë, por jo edhe një procedure ligjore për zbardhjen e rastit. I akuzuari Valdet Zekaj, me këtë rast Trupit gjykues i tha se ashtu si Nikolla Gruevski ra prej pushtetit, në të njëjtën mënyrë do të largohen edhe anëtarët e Trupit gjykues. (koha.mk)