Vrapuesit në ngjarjen më të madhe në veri të Walesit do të diskualifikohen në rast se hedhin mbeturina gjatë garës. Organizatorët e Gjysmë-Maratonës së të dielës “Conwy” thanë se masat janë vënë për shkak se plastika po bëhet “problem në rritje”, raporton BBC. Ueb-faqja “Run Wales” tha se vrapuesve “do t’u hiqen rezultatet nëse shihen duke hedhur mbeturinat e tyre jashtë ndalesës për ujë”. Gara është në vitin e saj të 11-të dhe aty do të marrin pjesë 3 mijë vrapues.
Vrapimi tashmë ka nisur, ndërsa për këtë ngjarje raportohet se janë mbyllur disa rrugë. Gjysmë-maratona “Run Wales” po ndjek trendët në rritje mes organizatorëve të garave për të ulur ndotjen e ambientit. Prillin e vitit 2019, Maratona e Londrës ndërmori disa masa për të ulur hedhjen e mbeturinave pasi pastroi 47,000 shishe plastike nga rrugët më 2018.
Ndër masat e prezantuara ishte edhe ajo e përdorimit të gotave që kompostohen në vend të shisheve të plastikës përgjatë shtegut, si dhe përdorimi i shisheve të plastikës u lejua vetëm nëse ato ishin të përbëra nga plastika gjysmë apo tërësisht e riciklueshme. Gjysmë-maratona e sivjetme e Kardifit përdori shishe plastike 100% të riciklueshme, letër të riciklueshme për të gjitha reklamat e shtypura dhe medalje nga zinku i ricikluar.