Benjamin Perks, përfaqësues i UNICEF-it në Maqedoni thotë që ka për qëllim deri më 2020 të mos ketë asnjë fëmijë, që nga lindja deri në tre vjeç, që jeton në institucione sociale, me qëllim që këta fëmijë të kenë dashuri prindërore dhe përkujdesje më të madhe
Delvina KËRLUKU
Shkup, 24 korrik – Individët, çiftet, familjet, të cilët duan të përkujdesen për një fëmijë jetim, të braktisur, fëmijë me nevoja të veçanta, shteti u mundëson një gjë të tillë. Birësimi i një fëmije gjithsesi duhet të përmbush disa kritere. Mirëpo, një çift ka kërkuar që të birësojë një fëmijë, që para 13 viteve për shkak se martesa e tyre nuk ka sjellë trashëgimtar. Vasfiu, i cili sot është 57 vjeç, flet për gazetën “Koha” me nostalgji, për dëshirën e madhe për të pasur një fëmijë, më saktë një djalë. Ai thotë se tashmë kanë kaluar 17 vite nga ëndrra për të pasur në shtëpinë e tyre një fëmijë, i cili do të bëhej pasardhësi i tyre. Pesë vjet kanë vrapuar nëpër institucione dhe përherë kanë marrë me vete shpresën nga premtimet që u janë dhënë nga përgjegjësit. Ata si fillim kanë kërkuar djalë e jo vajzë, por përgjigja për një djalë ka qenë gjithmonë negative. Edhepse kanë qenë shëndet plotë, me një shtëpi me plita, por e mbajtur mirë nga dora e gruas, e cila sot është 48 vjeçare. Shtëpi kjo e trashëguar nga të parët e tij. Vasfiu thotë se inspektorati nga qendra sociale, për gjendjen ekonomike, shëndetësore, i kanë vizituar dhe kanë konstatuar se çdo gjë është në rregull. Ai sot është skeptik nëse në moshën që ka mund të rrit një fëmijë, por ëndrra nuk shuhet. Vasfiu pyet se pse ata që duan të birësojnë një fëmijë, nëse është problem gjendja ekonomike, nuk u ndihmon shteti financiarisht, ndërsa në anën tjetër bëjnë apel që fëmijët jetim të mos lihen pa dashuri prindërore? Linja e telefonit 15133 (pa pagesë), është hapur nga qendrat sociale dhe jep informacione për njerëzit e interesuar të marrin një fëmijë nga shtëpitë e jetimëve. Përgjegjësit e kësaj linje për gazetën “Koha”, thonë se kjo linjë punon nga ora 8 e mëngjesit deri më 20h. Dhe se kriteret të cilat janë dhe që duhet të përmbush i interesuari është që individi të jetë i moshës nga 18 vjet në 65 vjet. Të jetë shëndetplotë, ekonomikisht mire, të ketë vërtetim nga gjykata, se nuk ka qenë i dënuar, për ndonjë vepër kriminale. Ata shtuan se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ka komisionin e vet që del në terren dhe hulumton personin që është interesuar të birësoj një fëmijë, nëse ka gjendje të mirë ekonomike dhe një shtëpi për jetesë. Nga Ministria e e Punës dhe Politikës Sociale, për gazetën “Koha” thonë se rregullorja në bazë të së cilës zgjedhja e prindit adoptues bëhet në mënyrë elektronike, dhe duhet të ketë personi gjendje të mirë shëndetësore; statusin psikosocial; kushtet materiale; kushtet e banimit; koha e pritjes; shkalla e arsimit; statusi dhe shtetësia. Për secilën prej këtyre kritereve përcaktohet numri i pikave të dhëna në rregulloren dhe numri maksimal i pikëve që mund të arrihen duke përmbushur të gjitha kriteret është 100 pikë, thonë nga MPPS. Psikologja Zorica Gjorgjieva thotë se shumë institucione, siç janë shtëpitë e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, sa do që të kenë kushte dhe sa do që të kenë personel mbikëqyrës, asnjëherë nuk mund të zëvendësojë dashurinë dhe përkrahjen e familjes dhe rrethit të saj. Fëmija vetëm në mjedisin familjar mund të ndjej dashurinë, mbështetje dhe përparësi. Për këtë MPPS në bashkëpunim me UNICEF-in kanë ngritur kampanjën “për çdo fëmijë nevojitet familje”. Benjamin Perks, përfaqësues i UNICEF-it në Maqedoni, iniciator i fushatës thotë që ka për qëllim deri më 2020 të mos ketë asnjë fëmijë, që nga lindja deri në tre vjeç, që jeton në institucione sociale, me qëllim që këta fëmijë të kenë dashuri prindërore dhe përkujdesje më të madhe.