Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 dhjetor – Shtetet evropiane kanë një zhvillim më të barabartë rajonal në raport me shtetet e rajonit. Këtë e tregon edhe fuqia ekonomike e kryeqyteteve të shteteve evropiane që kanë fuqi ekonomike shumë më të vogël në raport me kryeqytetet e rajonit, shkruan gazeta KOHA. Për shembull, në Shkup – si kryeqytetin e Maqedonisë, krijohet gati gjysma apo afër 43 për qind e Prodhimit të Brendshëm të Maqedonisë. Shifra të ngjashme të zhvillimit më të madh të qendrave më të mëdha urbane në raport me periferinë tregojnë edhe shtetet e rajonit. Në Tiranë krijohet afër 40 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ndërsa në Zagreb gati 34 për qind e PBB-së së Kroacisë. Shembuj të ngjashëm kemi edhe tek fqinjët e tjerë të Maqedonisë. Nga ana tjetër, hulumtimi i Institutit për ekonominë gjermane nga Kelni i bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it tregon se kryeqytetet e Bashkimit Evropian kanë një rëndësi shumë më të vogël ekonomike për shtetet e tyre sesa shtetet e rajonit. Në Paris krijohet afër 15 për qind e PBB-së franceze, ndërsa në Londër – 11 për qind e PPB britanike. Në Madrid krijohet 6 për qind e PBB-së spanjolle, në Kopenhagen krijohet 14 për qind e PBB-së daneze, në Varshavë 9.5 për qind e PBB-së polake. Në Vjenë, kryeqytetin austriak krijohen afër 6 për qind të PBB-së austriake, ndërsa në Athinë krijohet afër 20 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto grek.
Përjashtim në këtë drejtim bën vetëm Gjermania, ku Berlini merr pjesë me vetëm 0.2 për qind në PBB gjermane që si kryeqytet ka probleme të mëdha më varfërinë, papunësinë dhe probleme të ndryshme të infrastrukturës për shkak se deri në fillim të viteve 90-të, Boni ishte kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore, ndërsa Berlini ishte kryeqytet i Gjermanisë së dikurshme lindore. Gjithashtu, në Gjermani – qytetet si Frankfurti, Kelni apo Munihu kanë një zhvillim ekonomik të hatashëm të bazuar edhe në trashëgiminë e dikurshme ekonomike dhe financiare para viteve ’90, që 30 vite më vonë vetëm është rritur dhe fuqizuar. Rast të ngjashëm të zhvillimit të dobët të kryeqytetit kemi edhe në Itali – ku Roma merr pjesë me vetëm 1.6 për qind në PBB-në italiane. Në Itali, për dekada me radhë, rajonet më të zhvilluara ekonomike janë ato të veriut si Lombardia, Emilio Romanja, Toskana apo Trentino-Alto Adige me industri, turizëm, por edhe sektor të shërbimeve mjaft të zhvilluara, përkundër rajoneve të jugut ku bën pjesë edhe kryeqyteti Roma, me zhvillim dukshëm më të dobët ekonomik. Me kwtw rast, ekspertët ekonomik vlerësojnë se në Maqedoni, shteti nevojitet të kyçet në mënyrë aktive më përmirësimin e kushteve të jetesës në të gjithë vendin.
Ekonomistët thonë se çdokush duhet të bëjë punën e vet, apo pushteti qendror nevojitet të koncentrohet në problemet e mëdha në nivel republikan, ndërsa qyteteve dhe komunave nevojitet tu lëshohet të zgjidhin problemet lokale dhe atë jo vetëm në letër, por duke u lëshuar më shumë të holla. Decentralizimi fiskal dhe rritja e mjeteve që fitojnë komunat nga tatimet e ndryshme mbeten sfidat e zhvillimit ekonomik lokal në të ardhmen. Ky proces kërkon edhe rritjen e kapaciteteve të komunave në menaxhimin më të suksesshëm të kompetencave të tyre. Sugjerohet që shteti më shumë të punojë në zhvillimin e barabartë rajonal, përmes përmirësimit të infrastrukturës si dhe stimulimeve direkte për investime në rajonet më të varfra. Në këtë mënyrë do të arrihen më shumë efekte si zhvillimi i barabartë rajonal dhe do të pengohet emigrimi i popullatës ndaj vendbanimeve urbane, para së gjithash Shkupit ku shumica pretendojnë të gjejnë një vend punë, ose ikja e popuwllatë jashtë shtetit. (koha.mk)