Urim HASIPI
Tetovë, 7 shkurt – Numri i aborteve në Tetovë dhe rrethinë është përgjysmuar viteve të fundit. Të paktën kështu thonë nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryeshefit të këtij reparti, Nagip Rufati, numri i dy llojeve të abortit nuk ka shënuar ndonjë rritje drastike në Tetovë në periudhën prej 5 viteve të fundit.
“Në vitin 2015 gjithsej aborte artificiale apo me dëshirë në Spitalin Klinik të Tetovës janë regjistruar 291, ndërsa në vitin 2015 kjo shifër arrin deri në 252. Ndërkaq, aborte të dështuara (misedd abort) në vitin 2015 gjithsej ka pasur 174, ndërsa në vitin 2016 180”, tha për KOHA, kryeshefi Rufati. Mirëpo, sipas tij, nga viti 2010 e këndej numri i aborteve është përgjysmuar në Tetovë dhe më gjerë. Rufati nënvizon se para vitit 2010 ka pasur nga 500 aborte në Spitalin Klinik të Tetovës. Ai nënvizon se pjesa më e madhe e femrave që vendosin për të bërë abort janë për shkak të shtatzënisë së padëshiruar.
“Rastet e aborteve të cilat paraqiten në Repartin e gjinekologjisë në Tetovë janë më shumë si pasojë e një shtatzënie të padëshiruar dhe me arsyetimin se kanë shumë fëmijë e nuk kanë mundësi që ta përmbajnë ekonomikisht dhe e ëma vendos që ta abortojë fëmijën. Nuk ka ndonjë moshë të theksuar, pra kemi paciente prej moshës 20 vjeçare e deri në 50 vjeçare. Zakonisht aborte bëjnë femrat të cilët kanë nga dy apo tre fëmijë dhe nuk dëshirojnë që të kenë fëmijë tjetër dhe vendosin për abort”, deklaroi kryeshefi i Repartit të gjinekologjisë, Nagip Rufati. Nga ky repart thonë se numri i lartë i aborteve në të kaluarën ka qenë ngase femrat shumë pak kanë përdorur medikamente kundër shtatzënisë. Rufati thotë se në të kaluarën femrat ishin më pak të informuara për problemet që pasojnë pas një aborti.
“Mirëpo me kohë pothuajse të gjithë femrat tani kanë informacion për problemet dhe komplikimet që mund të kenë nga aborti. Gjithçka është e kontrolluar deri në maksimum dhe para çdo ndërhyrje pacientja përgatitet edhe psikikisht që të shkojë e gjithë procedura pa komplikim“, thekson drejtuesi i Repartit gjinekologjik në Spitalin Klinik të Tetovës.
Në ndërkohë, numri i lindjeve në Tetovë shënon rënie nga viti në vit. Të paktën kështu thonë statistikat e Spitalit të Tetovës, gjegjësisht nga Reparti i gjinekologjisë. Në 5 vitet e fundit, sipas shifrave të këtij reparti, lindjet shënojnë rënie ndërsa vetëm në vitin 2014 ka pasur një rritje të lindjeve.
Nagip Rufati, kryeshef i Repartit të gjinekologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës, thotë se dallimi nga viti 2012 deri në vitin 2016 është diku gjashtëdhjetë lindje më pak. “Në vitin 2012 kemi pasur 2389 lindje, kurse në vitin 2013 2378 lindje. Në vitin 2014 kemi sërish rritje të lindjeve, apo gjithsej 2389. Në ndërkohë, në vitin 2015 dhe 2016 është ulur dukshëm numri i lindjeve në Spitalin Klinik të Tetovës, konkretisht në 2016 kemi pasur 2021 lindje, kurse një vit më parë 2221 lindje”, deklaroi Rufati. Po ashtu bëhet e ditur se nuk ka ndonjë dallim se kush prijnë më shumë meshkuj apo femra të lindura.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.