Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 shtator – Afër 11 mijë vetura nga 383 833 të regjistruara në vitin 2015 në Maqedoni e shfrytëzojnë auto-gazin për ngasje të veturave. Benzinën për ngasje e përdorin afër 210 mijë vetura, kurse naftën 163 mijë vetura, shkruan gazeta KOHA. Vozitësit, me një investim prej 300 deri 600 euro e orientojnë veturën e tyre të harxhojë auto-gaz në vend të benzinës. Në kohën e krizës së madhe ekonomike dhe përkujdesjes për harxhimin e çdo denari, vozitësit janë të interesuar të kursejnë në buxhetin e tyre familjar, për shkak se përdorimi i auto-gazit për ngasje është gati dyfish më i lirë se përdorimi i benzinës. Gjithashtu, ngasja e veturës me autogaz ka edhe efektet ekologjike për shkak se autogazi është një karburant më i pastër dhe më ekologjik në raport me karburantet e tjera.
Përvojat nga shtetet e rajonit tregojnë se vetura duhet të kalojë së paku 10 mijë kilometra në vit për të pasur leverdi që të instaloni impiantet shtesë për ngasjen me gaz. Gjithashtu, analizat e ndryshme në shtetet fqinje, që në parim vlejnë edhe për në Maqedoninë, tregojnë se konsumi mesatar për një veturë në 100 kilometra të kaluara është 9 litra benzin, 7 litra dizel dhe 11 litra eurogaz. Kjo me fjalë të tjera nënkupton se në 100 kilometra do të harxhoni 567 denarë për benzin 95, me çmimin prej 63 denarë për litër. Për 100 kilometra të kaluara me naftë do të harxhoni 336 denarë me çmim prej 48 denarë të dizelit, dhe për 100 kilometra të kaluara me autogaz për ngasje do të harxhoni 341 denarë me çmim prej 31 për një litër autogaz.
Njohësit e automobilizmit thonë se dallimi në konsumin midis benzinës dhe autogazit në një pjesë të madhe varet edhe nga lloji i impiantit për autogaz që instalohet në veturë. Sa më modern dhe më i sofistikuar është sistemi, edhe dallimi në konsum do të jetë më i vogël. Njëherazi e njëjta gjë vlen edhe për uljen e fuqisë së motorit. Nëse motori është në gjendje mjaft të mirë, atëherë nëse keni të instaluar impiantin apo aparatin më cilësor dhe modern, gjithashtu dallimi në konsum do të jetë më i vogël. Sugjerohet edhe servisim i rregullt i veturës dhe impiantit të autogazit si dhe furnizim i rregullt i veturës me rrymë që nënkupton jo vetëm kabllo cilësore, por edhe pajisje tjetër e nevojshme që të funksionojë si duhet sistemi i autogazit i instaluar në veturë. Mjeshtrit e veturave që merren me instalimin e pajisjeve për shfrytëzimin e aparaturave të autogazit, raporton KOHA, shpesh thonë se “në konsumin e benzinës shtoni edhe dy litra dhe kjo paraqet konsumin e autogazit”. Në parim konsumi i autogazit rritet prej 10 deri 20 për qind tek veturat e reja, ndërsa tek ato të vjetra edhe konsumi prej 30-40 për qind nuk është përjashtim. Me siguri se në praktikë ka edhe dallime në konsum në varësi prej llojit të veturës, mirëmbajtjes së saj e kështu me radhë. Për shembull, nëse sistemi nuk është i rregulluar siç duhet, edhe konsumi i autogazit mund të jetë në rritje në raport me benzinën. Këshillohet që motori para instalimit të autogazit të riparohet apo të vendoset në gjendje shumë të mirë. Automekanikët thonë se shpesh vozitësit për shkak të rënies së fuqisë së motorit gjatë vozitjes me autogaz shkelin më shumë pedalen e gazit, që vlen sidomos për vozitjen në qytet, andaj në situata të tilla konsumi është edhe më i madh në raport me rrugën e hapur.
Gjatë instalimit eventual të autogazit në veturë duhet marrë me rezervë edhe informacionet e fituara nga pronarët e veturave me autogaz, për shkak se shpesh sedra e tyre nuk ka kufi dhe thjesht nuk dëshirojnë të pranojnë se sa me të vërtetë autogaz harxhon vetura e tyre.
Rekomandohet që të matet konsumi i benzinës, si dhe të vlerësohet konsumi i autogazit në varësi prej fuqisë dhe vëllimit të motorit dhe llojit të pajisjes së autogazit që do të instalohet. Pastaj duhet përllogaritur edhe çmimin e instalimit dhe harxhimet e tjera që përfshijnë edhe servisin dhe mirëmbajtjen e tij. Në parim, servisi i rregullt i aparaturës së autogazit preferohet të realizohet në 10 mijë kilometra. Nga ana tjetër, edhe çmimi i autogazit në tregun vendor të karburanteve të naftës është rritur në periudhën e fundit për mbi 20 për qind. Kostoja e tij në Maqedoni, në fillim të muajit nëntor të vitit 2016 ishte 24 denarë, ndërsa aktualisht shitet për 31 denarë në litër. Njohësit e automobilizmit vlerësojnë se autogazi, por edhe gazi për dedikime tjera në tregun vendor–nuk shitet sipas çmimit të përcaktuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, por sipas kërkesës dhe ofertës në treg, ndërsa në treg mungon konkurrenca më e madhe për shitjen e autogazit, andaj edhe kemi çmime edhe më të shtrenjta se mjaft shtete në rajon.
Ndryshe, duhet marrë parasysh se vozitja me autogaz zvogëlon hapësirën e bagazhit, ndërsa edhe vozitja kërkon më shumë vëmendje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.