Urim HASIPI
Tetovë, 23 shkurt – EVN-Maqedoni në formë të shkruar ka dhënë përgjigje për kërkesat e Këshillit protestues kundër EVN-së, shkruan gazeta KOHA. Rikujtojmë se këshilli organizativ dorëzoi kërkesat me shkrim dhe tani ata kanë marrë përgjigje në formë të shkruar. Në përgjigjen e EVN-së, e cila ka 14 faqe, sqarohet detajisht veprimtaria e tyre dhe njëkohësisht jepen sqarime për protestuesit. “Sa i përket lartësisë së çmimit të energjisë elektrike, potencojmë që i njëjti është një nga çmimet më të ulëta në krahasim me shtetet tjera të Evropës, në veçanti kur janë në pyetje amvisëritë. Kjo shihet edhe në raportin EUROSTAT për vitin 2016. Sipas kësaj, një çmim me diferencë pak më të ulët për energji elektrike, amvisëritë paguajnë vetëm në Kosovë dhe Serbi. Arsyet se përse çmimi i energjisë elektrike në Kosovë dhe Serbi është më i ulët sesa në Maqedoni, janë se këto shtete janë më pak të varura nga importi i energjisë elektrike, tregu i energjisë elektrike në këto shtete është i liberalizuar në përmasa më të vogla sesa në Maqedoni ose nuk është aspak i liberalizuar dhe një gjë e tillë kontribuon në presion më të vogël mbi çmimin e energjisë elektrike”, qëndron në përgjigjen e EVN-së.
Në ndërkohë lidhur me kompensimin për fuqinë prej 33 për qind, nga EVN-ja sqarojnë se të ardhurat e lejuara për kompanitë e rregulluara, realizohen nëpërmjet faturimit të sasisë së caktuar për produkte të caktuara që konsumatorët duhet t’i paguajnë për energjinë elektrike të shpenzuar nga ana e tyre. “Në këtë mënyrë kompanitë e rregulluara realizojnë të ardhurat e rregulluara të lejuara, me qëllim që të mund të punojnë normalisht. Shumat që konsumatorët duhet t’i paguajnë për shpenzimet e tyre mujore, mund të jenë për energji aktive të shpenzuar, energji reaktive të shpenzuar, veçmas për tarifë të lartë ose të ulët dhe për fuqinë maksimale të angazhuar. Njëra nga këto shuma deri në korrik të vitit 2014, për amvisëritë dhe konsumatorët e biznesit ishte e shënuar si “kompensim për fuqinë maksimale të angazhuar”. Ky kompensim është sjellë në sistemin tarifor të shitjes së energjisë elektrike në vitin 1982”, thuhet në mes tjerash në letrën me përgjigje nga EVN-ja.
Sa i përket kompensimit për kyçje të reja, nga EVN Maqedoni thonë se kjo është e aprovuar nga ana e Komisionit rregullator për energjetikë. “Kyçja e konsumatorëve në sistemin e shpërndarjes të energjisë elektrike realizohet konform Ligjit për energjetikë, Ligjit për ndërtim, Ligjit për planifikim hapësinor dhe urbanistik dhe rregullat e rrjetit të aprovuara nga ana e Komisionit Rregullator. Kompensimi të cilin konsumatorët duhet ta paguajnë që të jenë të kyçur në sistemin e shpërndarjes është i aprovuar nga Komisioni Rregullator. Kompensimi për kyçje i një konsumatori të caktuar në sistemin e shpërndarjes, nuk është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me shpenzimet e infrastrukturës e cila duhet të ndërtohet. Më saktësisht bëhet fjalë për një çmim të vetëm i cili mundëson të drejtën e kapacitetit dhe qasjes në rrjet”, përgjigjen nga EVN. Lidhur me përçuesit mbitokësor që të njëjtit të zëvendësohen me ato nëntokësor, nga EVN thonë se ky është një investim i madh që nënkupton shumë para. Blerim Fejzuli nga Këshilli iniciativë për organizimin e protestave tha se kanë marrë përgjigjet. Të njëjtat do të analizohen dhe nesër në ora 13.00 qytetarëve do t`iu sqarohen përgjigjet e marra.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.