Mendohej se do të ishte vlera e shtuar në formacionin kuqezi, në tentativën për të mundur Skocinë, por kontributi i Eros Grezdës, me shpejtësinë dhe teknikën e tij, nuk arritën dot as të shmangin dhe as të minimzojnë disfatën e thellë që pësoi Shqipëria në Shkodër me rezultatin 0-4. Një disfatë në të cilën edhe vetë futbollisti ka pranuar se ka qenë shumë i nervozuar në fushë.
“Besoj e pamë të gjithë se çfarë ndodhi. E nisëm shumë mirë, por u prish loja shumë shpejt. Morëm një karton të kuq dhe një penallti. Besoj se 11-metërshi vendosi gjithçka, sepse të nisësh pjesën e dytë me një lojtar më pak dhe dy gola të pësuar është shumë e vështirë. Pësuam një goditje psikologjike e më pas morëm edhe dy gola të tjerë. Trajneri na porositi që të mos humbasim kokën, të ruajmë qetësinë dhe të tentojmë reagimin. Përgjegjësitë e kësaj humbje duhet t’i mbajmë të gjithë, ishim 11 futbollistë në fushë dhe trajneri. Personalisht isha i nervozuar në fushë, sepse nuk mund ta duroja faktin që po mundeshim në atë mënyrë në shtëpinë tonë”, deklaroi Eros Grezda, në përfundim të ndeshjes.