Nga Emin AZEMI
Pas dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, Bulent Saliu, është hapur rruga e kërkimit të shtigjeve që do ta bënin më të lehtë funksionimin e institucionit të përgjegjësisë, si akt më i lartë jo vetëm etik, por edhe ligjor. Në zingjirin komandues të çdo institucioni, përgjegjësia është sa kolektive, po aq edhe individiuale. Ka shumë raste që kuadrot shqiptare po arsyetohen me faktin se vendimmarrja në institucionet ku ata punojnë është me subordinim, që i bie se ata nuk mund të ndërmarrin asgjë nëse vendimi është i padrejtë nga ana e udhëheqësit të atij institucioni.
Mirëpo ata harrojnë një fakt se përgjegjësia nuk është vetëm të pengosh apo jo një vendim të padrejtë. Parasegjitash, përgjegjësia nënkupton legjitimin e atij vendimi me pjesëmarrje në ndonjë institucion. Kështu zatën edhe ka ndodhur në të kaluarën. Kuadrot shqiptare, ose janë mbivotuar (si në rastin e Almir Aliut), ose shpërfillur fare, duke reduktuar prezencën dhe rolin e tyre në trajta qesharake.
A duhet të ndodhë kjo edhe në të ardhmen? Fillimi i procesit të çmontimit të sistemit të drejtësisë, gjegjësisht largimi i të gjithë elementeve antireformues nga gjykatat e prokuroritë, përfshi sidomos ata gjykatës e prokurorë të lustruar dhe me të kalur të dyshimtë, duhet të ndodhë sa më parë. Në disa rapoprte të Komsionit Europian dhe organizmave të tjerë ndërkomëbtarë, sistemi i drejtësisë ka qenë një nga pikat më të kritikueshme dhe sa here që është folur për ngecjen e reformave, është aluduar në sistemin e drejtësisë në Maqedoni.
Por, a mjafton ky proces filtrimi, nëse atij nuk i prijnë kuadrot shqiptare, jo vetëm në gjyqësi e prokurori, por edhe në të gjitha institucionet tjera. Ka shumë segmente të shtetit ku kuadrot shqiptare ose janë dekor, ose prezenca e tyre ballafaqohet me absurditete të natyrave të ndryshme. Jo pak raste ka që kuadrot shqiptare ngrejnë zërin për padrejtësi në institucione të caktuara ku ata punojnë, por revanshizmi ndaj tyre është i tmerrshëm. Ka të tjerë që janë palë me kuadro të caktuara maqedonase në bashkëdrejtimin e bizneseve e dallavereve, që asgjë nuk kanë të përbashkët me interesat që ata përfaqësojnë.
Virusi më i dëmshëm i (keq)funksionimit të një institucioni mund të zhvillohet vetëm në qerthujt që prodhojnë neglizhencë, apati, indiferentizëm. A ka patur deri më tani plotë situata ku kuadrot shqiptare kanë treguar mungesë sensi për të reaguar ndaj deformimeve e padrejtësive në institucionet ku ata punojnë? Kush i ka penguar ata të mos reagojnë?
Neglizhenca dhe indiferentizmi i kuadrove shqiptare, si në rastin e Sopotit, dhe në raste të tjera, kanë ndikuar që këto raste jo vetëm të marrin pista të gabuara hetimi, por edhe të zvarriten pakuptimësisht, duke abuzuar rëndë me liritë dhe të drejtat e të akuzuarve shqiptarë. Raste të tilla ka patur edhe më herët, kurse si shembull ilustrativ përmenden ngjarjet e Gostivarit ku në krye të Komisionit hetues ishte një kuadër shqiptar, i cili pati nënshkruar Raportin – gjoja hetues e që nuk dallonte me asgjë nga raporti i policisë.
Përgjegjësia për devijime nëpër institucione, duhet të fillojë nga kuadrot shqiptare. Dorëheqja e ministrit Saliu, është një standard që duhet të merret si model. (koha.mk)