Rreziqet duhet t’i bashkojnë aktorët shoqërorë, duhet të rritë disiplinën dhe ndërgjegjen individuale, e kur e do nevoja, edhe të merren masa jo të popullarizuara dhe të ketë unitet për to…Çfarë është ajo logjikë që edhe kur e ke një rrezik real të përbashkët, si me pandeminë, që nëse thotë qeveria të mbahen maska, opozita të thotë jo, nëse qeveria thotë jo, opozita të thotë po, vetëm që të jenë kundër…gjer në absurd, pa i marrë parasysh pasojat e kësaj disonance teatrale!
Nga Daut DAUTI
Aman sa më shpejtë të mblidhet Kuvendi dhe t’i votojë masat e reja kundër pandemisë. Sepse, si ka marrë situata teposhtëzën dhe ne vazhdojmë të sillemi “normalisht” (jo normaliteti më i madh është kundër jo normalja bëhet gjendje normale!), këto 535 rastet rekord të ditës së enjte, kur u shkrua ky tekst, nesër mund të jetë i vogël, sepse do të pasojë ndonjë rekord i ri. Sa për krahasim, në fillim të pandemisë, “projeksioni” i organeve tona shëndetësore ka qenë që në Maqedoni do të preken rreth 2000 njerëz nga Covid-19, ndërkaq tash kemi mbërritur në shkallën që vetëm për 5-6 ditë t’i tejkalojmë ato numra, të mos flasim për totalin e tejkalimit të “normës”!
Neve dhe botës po na ndodh, e për këtë ndoshta nuk janë të gjithë njerëzit të vetëdijshëm, ajo ëndrra e gomarit që e ishte duke e ngrënë ujku, kur këtij nuk i besohej dhe i jepte gajret vetes “ishalla jam ëndërr”! Shpresat se do të kalojë virusi pasi “të ngopet” nuk na doli. As u shua nga temperaturat e larta të muajve të verës. Ilaç që do ta mundtte, poashtu nuk ka, kurse vaksina, shpëtimtarja më e madhe, në variantin më të mirë mund ta presë pranverën. Kurse vjeshta, për të cilën tërhiqnin vërejtjen ekspertët shëndetësorë, po na kthen në ankthin dhe në të vetmen gjë që deri tash u tregua efikase: izolimi i virusit. Mbyllja e shtigjeve të shpërndarjes me masat që deri tash u treguan efikase, mund të bëhet me mënyrë të thjeshtë, të lehtë, ani se ngapak frustruese, maskat, higjiena, distanca. Këto janë flijesa shumë më të vogla se sa të flijosh jetën.
Me fillimin e vjeshtës, këto gjëra kaq të thjeshta, bëhen më shumë se kurrë të domosdoshme. Përpjekjet për t’iu kthyer normalitetit, me hapje shkollash, çerdhesh, fakultetesh, me punën normale të restoranteve, dasma, manifestime me më shumë njerëz, shkuarja në punë pa masa kujdesi…, është gjë e pamundur. Këto infektime të larta te ne edhe një herë dëshmuan sa ishin naive disa grupe nxënësish “entuziastë” të cilin kërkonin mësim me prezencë fizike. Mirë që u zmbrapsën nga qëllimi fillestar, në pritje për ta vëzhguar si do të ecë trendi, duke i dhënë të drejtë zv.ministrit të arsimit i cili shumë mirë e detektoi problemin duke tërhequr vërejtjen për pasojat, duke shtruar çështjen e përgjegjësisë nëse prezenca fizike do të shkaktonte infektime. Zaten, trendët negative u arritën edhe pa kthimin e nxënësve në shkolla, që na le të supozojmë çfarë do të kishte qenë gjendja po të kishin shkuar nxënësit masovikisht, të udhëtonin me autobusë pa distancë fizike, e të grumbulloheshin nëpër klasë, ku poashtu realisht nuk mund të mbahet kurrfarë distance. Sipas asaj që thonë ekspertët, jo vetëm numrat, por dhe manifestimet tjera të virusit janë më të frikshme se në fillim të pandemisë, sepse, bie fjala në Shqipëri, nëse në fillim kanë qenë të goditur njerëzit në moshë, tash, për shkak të bindjeve se fëmijët dhe të rinjtë nuk i kapë, infeksionet gjithnjë e më prezente janë pikërisht te ata. Falë edhe pa disiplinës dhe anashkalimit të masave mbrojtëse.
Prandaj, nuk duhet të kemi kurrfarë dilemash rreth masave shtrënguese ose disiplinuese, ato çfarëdo që të jenë duhet të respektohen që të ndërpritet tendenca e rritjes gallopante të infektimeve. Në vende të ndryshme, e sidomos te ne në Ballkan, përmes një fatkeqësie që i godet të gjithë, ka prirje për të bërë lojëra për përfitime politike, në vend se të ndodhë e kundërta, që fatkeqësia t’i bashkojë njerëzit dhe aktorët e ndryshëm shoqërorë. Gjatë periudhës parazgjedhore kur kishim një qeveri prej zori të përbërë nga partitë në pushtet dhe VMRO-ja opozitare, kishim obstruksione të hapura, ose akuza të ndërsjella për obstruksione të masave. A duhej të ndodhte një gjë e tillë? Shembulli më frapant i keqpërdorimit politik të masave, janë këto ditë përplasjet politike në Shqipëri edhe për masat e reja që paralajmëroi qeveria, që nënkupton edhe obligimin për mbajtjen e maskave në vende të hapura. Kësaj iu kundërvu Monika Kryemadhi, lidere e LSI-së së të shoqit, duke thënë se jo vetëm që ajo nuk do ta përfillë këtë masë, sadoqë të jetë dënimi, por i thërriti edhe qytetarët që të mos e përfillin! Interesant apo jo? Ajo bën thirrje në periudhë kur virusit mund t’i ndalet hovi vetëm me masa mbrojtje, ajo thërret për padëgjueshmëri qytetare. Sa njerëz mund t’i marrë në qafë nëse e dëgjojnë apelin e saj? A do t’ua paguajë dënimet atyre që do të ndëshkohen? A do t’i kompensojë (me se?!) jetët e humbura nga rritja e infeksioneve me padëgjueshmëri? Çfarë është kjo logjikë që të jesh me çdo kusht kundër diçkaje, edhe kur atë e sheh si nevojë të momentit kritik. Çfarë është ajo logjikë dhe lojë politike, që edhe kur e ke një rrezik real të përbashkët, si me pandeminë, që nëse thotë qeveria të mbahen maska, opozita të thotë jo, nëse qeveria thotë jo, opozita të thotë po…gjer në absurd,pa i marrë parasysh pasojat e kësaj disonance teatrale!
Përgjegjësia ndaj rrezikut është një obligim i çdo qytetari, e lere më i bartësve të pozitave me përgjegjësi shoqërore. Këtu përfshihen edhe media, gazetat e portalet, të cilat për të qenë sa më tërheqës për publikun, dinë shpesh të bëjnë akrobacione të dëmshme. Shpesh u japin hapësirë të tepruar njerëzve të cilët kanë mendime të kundërta me ato të organeve shëndetësore, jo vetëm që vetë shprehin skepticizmin, por edhe u apelojnë qytetarëve të mos u besojnë. Një temë e tyre e preferuar mbeten teoritë konspirative, me të cilat jemi ngopur falë hapësirës që u jepet, dhe pastaj këto debate kalojnë te njerëzit e rëndomtë. Këtyre ditëve bëri përshtypje një falje publike e një gazetari i cili në emisionet e tij kishte ftuar përplot skeptikë. Me një ndërgjegje të zgjuar vonë, ai deshi të lajë veten, duke pranuar që ndoshta është fajtor që mund ta ketë rritur numrin e infektimeve, madje edhe të vdekjeve duke u lënë hapësirë lloj-lloj sharlatanëve mosbesues në virusin. Pavarësisht se ky gazetar është ndër më të urryerit për shkak të antishqiptarizmit të kultivuar me vite në emisionet e tij, kësaj radhe kishte tejkaluar vetveten, duke pranuar gabimin që mund të ketë shkaktuar edhe pasoja.
Mund të tingëllojë demagogji të thuhet se të gjithë duhet të japim kontributin, se këtë betejë duhet ta fitojmë bashkë. Qeveria t’i kryejë detyrat, organizmat shëndetësorë të vetën, por dhe çdo qytetar duhet të ndërgjegjësohet dhe të veprojë në sinkron me masat që do të ndërmerren. Nuk mundet në një ndërmarrje, dikush të mbajë maska, e dikush jo, nuk mundet që në një market gjysma e myshterinjve të lejohen pa maska, nuk mund të shkohet në xhami, qendra tregtare, e të mos flasim për varrimet, pa gjënë elementare që pengon qarkullimin e virusit, pra, pa maskë. Mund të jetë dëshpërues sqarimi që një natë dëgjuam në një emision debutues ku vetë mjekët thoshin se maska e mbron tjetrin, kurse vetë nuk është aq i mbrojtur! Atëherë nuk ka rrugë tjetër pos asaj që të detyrohen të gjithë, ashtu siç janë në paralajmërim edhe te masat më të reja, mbajtja e detyruar e maskave me anë të ndëshkimeve. Bindjet dhe liria e mendimit janë një çështje individuale, por në shoqëri, ajo nuk duhet të shndërrohet në kërcënim për të tjerët. Prandaj dhe përgjegjësinë duhet ta bartin të gjithë njësoj.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)