Jetojmë në një periudhë ku drejtësia ekziston si një fjalë, veç si koncept për të voglin, të pa mbrojturin, të varfrin. Ku njerëzit detyrohen të të kërkojnë falje nëse s’kanë përqafuar asnjëherë intrigat, nëse si di ato. Duhet të kërkojnë falje se s’dinë të bëjnë hile dhe janë korrekt e të ndershëm. Ku duhet të jetojnë në panik se të tjerët në vazhdimësi i shohin si mashtrues… kurse njerëzit, ata të përditshmërisë veç kërkojnë rehati dhe një jetë më të mirë!
Nga Nazim RASHIDI
Cila është detyra e një qytetari aktiv? Cili është synimi i një qytetari që mendon përtej interesit personal? Cili është synimi i medias? Synimi në të gjitha rastet është t’i bëhet një prerje shoqërisë, me të vetmin qëllim për të analizuar se ku jemi, ku kemi arrirë në zhvillimin tonë të përbashkët dhe ku duhet të drejtohemi, ku duhet të ecim si shoqëri. Përherë duke pasur parasysh interesin publik, interesin të përbashkët, interesin e secilit prej nesh në shoqërinë që ndajmë bashkë. Për herë duke theksuar llogaridhënien, duke filluar nga vetja, si sillemi në hapësirën që ndajmë bashkë e deri tek më të pushtetshmit. Duket se ky shekull i ri i joni do të vazhdojë të ketë sfidë, një lloj si ai i kaluari i paraardhësve tanë: ndërtimin e një shteti të mirëfilltë, një shteti ligjor, një shteti demokratik, një shteti të përgjegjshëm.
Jetojmë në një kohë ku teknologjia krijon një tension e shpërqendrim nga e realiteti. Rrjetet sociale duke krijuar hapësirë shprehjeje, janë më shumë një vend shprehje vreri sesa mendimi dhe ide. Mungesa e debatit dhe në vend të tij dominimi i fjalorit të urrejtjes nuk krijon mundësi mësimi, por e kundërta tkurrje. Kush me qëllim e kush pa dashje keqpërdor këtë fuqi, duke krijuar huti për atë se çfarë është demokraci dhe çfarë autoritarizëm, çfarë është mendim i lirë dhe çfarë është ofendim, çfarë është hapësirë private dhe çfarë publike.
“Lajmi i rrejshëm” (Fake Neës) është fjala e kohës. Njerëz që rrinë e shkruajnë rrena, për interesa të ngushta apo dhe politike, por pa pikë përgjegjësie për pasojat, sidomos ato afatgjate. Ky fenomen po lëkund botën dhe demokracitë që i marrim shembull, por sërish kjo s’do të thotë se duhet pranuar fenomenin lehtësisht. Sepse rrenat, ndikojnë në të gjitha poret pastaj, bëhen standard e normalitet. Por si rrjedhojë, a është e rrejshme demokracia, liria? A mund të ketë liri nëse mburresh në rrena? Jetojmë në një periudhë ku drejtësia ekziston si një fjalë, veç si koncept për të voglin, të pa mbrojturin, të varfrin.
Ku njerëzit detyrohen të të kërkojnë falje nëse s’kanë përqafuar asnjëherë intrigat, nëse si di ato. Duhet të kërkojnë falje se s’dinë të bëjnë hile dhe janë korrekt e të ndershëm. Ku duhet të jetojnë në panik se të tjerët në vazhdimësi i shohin si mashtrues… kurse njerëzit, ata të përditshmërisë veç kërkojnë rehati dhe një jetë më të mirë! Duket se kjo situatë do të ndjekë njeriun e zakonshëm në raport me pushtetarin, biznesin, politikat, shtetin me shoqërinë. Por kjo s’është ajo që është e dëshiruar dhe as premtuar.
Është e tmerrshme kur kthen kokën pas për të parë nga kemi ardhur, dhe sërish gjen të njëjtin realitet. Gjen të njëjtin zhgënjim dhe të krijohet përshtypja se kanë ndryshuar veç gjësendet dhe moda, por jo dhe thelbi. Ali Asllani do të shkruante vite më parë për maskarenjtë, që duket sikur të jetë shkruar sot:
“…Dallavera nëpër zyra,
dallavera në Pazar
dallavera me të huaj,
dallavera me shqiptar.
Vetëm, vetëm dallavera
dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti
që ju ngopi, që ju dëndi…”
Megjithatë shteti, shoqëria zhvillimi vjen kur të gjithë janë korrekt dhe aktiv. Dhe jo vetëm kur lehtësisht fajëson të tjerët. Duket bajate dhe e stërthënë, por ia vlen përsëritja: Po Ti, çfarë bën? Po Ti si sillesh? Si reagon vetë? Respekton rregullta, respekton të tjerët? Gjithçka duhet filluar nga vetja, që pastaj të kesh gojën plot për të kritikuar të tjerët.
Abraham Linkoln një nga presidentët më të shquar amerikan thoshte se “çdo njeri duhet të ndjejë peshën e zhvillimit, civilizimit”. Përgjegjësia se si sillemi dhe vetë, sjell përparimin aq të pritur. Kritika është esenciale, por një herë të korrigjojmë veten dhe pastaj të tjerët. Pa dyshim një shtet demokratik, mendësitë demokratike njohin peshën e fjalës së lirë jo për hir të kritikës ose thjeshtë mediave se ashtu e do demokracia, sa për sy e faqe, por për shoqërinë dhe zhvillimin e saj. Prandaj fillimisht të shohim ku jemi vetë dhe për herë të përpiqemi të bëjmë gjërat me përgjegjësi, aq e munguar, nga të gjitha anët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)