Nga Agim RUSHITI
Mirëmbajtja e institucioneve të arsimit të lartë dhe instituteve shkencore, si përgjegjësi publike, implikon pa mëdyshje një shkallë të lartë të përgjegjësisë për të ardhmen e zhvillimit, në planin e zhvillimit shoqëror dhe individual dhe i zhvillimit të mendimit shkencor. Kjo nënkupton: Përgjegjësi për financim të arsimit të lartë; Përgjegjësi për qasje participative në kreimin e politikave në arsimin e lartë dhe Përgjegjësi për qasje participative në zhvillimin e programeve studimore.
Në aspektin e financimit të veprimtarisë së arsimit të lartë, Ligji i ri i arsimit të lartë siguron financim të veprimtarisë së arsimit të lartë dhe të hulumtimit shkencor nga ana e shtetit, në mënyrë adekuate, stabile, të garantuar, stimulative, integrale dhe të pakushtëzuar. Kjo nënkupton ndryshimin e mënyrës së financimit të procesit mësimor dhe atij hulumtues-shkencor, për qëllim të sigurimit të një procesi funksional, që rrit kuptimësinë e autonomisë financiare të universiteteve, duke ofruar opsionin e zgjerimit të mundësive për gjetjen e burimeve tjera financiare, duke siguruar gjatë kësaj ex post llogarillënie adekuate, përmes garantimit se institucionet e arsimit të lartë dhe institutet shkencore të jen njëkohësisht edhe njësi buxhetore, por edhe njësi financiare.
Në funksion të sigurimit të sistemit adekuat të financimit të arsimit kualitativ të lartë, Ligji i ri i arsimit të lartë siguron: Model të ri të financimit të procesit të mësimit dhe atij hulumtues-shkencor, në drejtim të realizimit të një procesi funksional, të qëndrueshëm, real, kompetitiv dhe kualitativ; Krijimin e mekanizmave për financim të qëndrueshëm të veprimtarisë së arsimit të lartë dhe atij hulumtues shkencor; Lirimin nga tatimi për disa aktivitete specifike që zhvillon institucioni i arsimit të lartë, që ofrohen në formë donacioni; Standard të qëndrueshëm të studentëve që nënkupton edhe të drejtën për subvencionim të shkollimit; Subvencionim për vendosje në konvikte dhe për ushqim, sigurim shëndetësor, mundësi për punësim të përkohshëm dhe të drejta të tjera të veçanta për një kategori studentësh; Financim të studimeve për një kategori studentësh me gjendje të rëndë sociale; Financim të studentëve të dalluar për nga talenti, të cilët plotësojnë kushte të përcaktuara me ligj, për të tri ciklet e studimit; Financim të veprimtarisë botuese të universiteteve dhe parapagimin e rrjeteve të kërkimit shkencor që sigurojnë kualitet në arsimin e lartë; Financim kompetitiv të projekteve hulumtuese; Përkrahje financiare për qasje deri te kapacitetet hulumtuese të kompanive të locuara brenda dhe jashtë vendit.
Për realizimin e financimit të tillë të veprimtarisë në arsimin e lartë parashihet edhe ndryshimi i “Rregullores për masat dhe kriteret për financimin e institucioneve të arsimit të lartë” dhe akteve tjera nënligjore.
Në funksion të sigurimit të stabilitetit juridik dhe atij financiar të universiteteve, Ligji i ri i arsimit të lartë parasheh formimin e trupit të pavarur profesional, Këshillit nacional për arsim të lartë, i cili është përgjegjës ta rregullojë veprimtarinë e sistemit të arsimit të lartë, përveç tjerash, edhe në aspektin financiar.
Në aspektin e Përgjegjësisë për qasje participative në kreimin e politikave në arsimin e lartë, Ligji i ri për arsim të lartë parasheh kyçje aktive të të gjithë faktorëve që janë të involvual në procesin e arsimit të lartë dhe të të gjitha trupave dhe organeve që janë plotësisht të autorizuar në kreimin e politikave dhe sjelljen e vendimeve në arsimin e lartë.
Në aspektin e Përgjegjësisë për qasje participative në zhvillimin e programeve studimore, Ligji i ri i arsimit të lartë definon mekanizma për pjesëmarrje aktive të të gjitha palëve që janë të lidhur me procesin e arsimit të lartë, në veçanti të bashkësisë së biznesit, në zhvillimin e programeve studimore dhe atyre lëndore. Gjatë kësaj, në kreimin e programeve studimore, logjika e implementimit të interesave të dala nga kërkesat e tregut të lirë, nuk nënkupton ekskluzivitet në dëm të margjinalizim të komponentave, participientëve dhe interesave të ushtruese të veprimtarisë së arsimit të lartë dhe të vetë veprimtarisë.
Sa i përket Kualitetit në arsimin e lartë, si një komponentë mjaft me rëndësi të cilës i kushtohet vëmendje e veçantë në Ligjin e ri për arsimit të lartë, në vehte sublimon standarde, procedura dhe mekanizma për sigurimin e cilësisë, të cilat aplikohen edhe në Hapësirën e përbashkët të arsimit të lartë, të definuara nga ana e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, ENQA (European Association for Quality Assurance in Higher Education). ENQA është një organizatë ombrellë e cila përfaqëson organizatat e sigurimit të cilësisë nga shtetet anëtare të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, EHEA (European Higher Education Area). ENQA promovon bashkëpunimin evropian në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe shpërndan informacionin dhe ekspertizë midis anëtarëve të vet dhe ndaj palëve të interesuara, në mënyrë që të zhvillojë dhe të ndajë praktikat e mira, si dhe të nxisë dhe ndihmojë dimensionin evropian të sigurimit të cilësisë.
Komponenta tjetër mjaft me rëndësi e cila është prezentë në Ligjin e arsimit të lartë është Konsolidimi i hulumtimit, si pjesë përbërëse e arsimit të lartë. Hulumtimi dhe performansat hulumtuese të stafit akademik janë prezentë në dispozitat e ligjit dhe ato shkojnë në drejtim të afirmimit të kapaciteteve hulumtuese të stafit akademik, avancimin shkencor të tyre dhe të mirat që dalin nga një angazhim i tillë i tyre (për Ta dhe për shoqërinë). Ky ligj lejon që institucionet e arsimit të lartë lirshëm të përcaktohen si institucione arsimore, arsimore-hulumtuese dhe si arsimore – shkencore – hulumtuese.
Statusi, struktura dhe drejtimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe i njësive përbërese të tyre, sipas Ligjit të ri të arsimit të lartë parashihet të jenë të orientuara në drejtim të integrimit funksional, për një pjesë të detyrimeve dhe kompetencave, por me shkallë të lartë të lirisë të njësive (fakulteteve), në pjesën e disponueshmërisë së mjeteve vetanake, në drejtim të zhvillimit të specifikave të veta si njësi përbërëse të universiteteve dhe në auonominë e vendimarrjes, për çështje me rëndësi nga veprimtaria arsimore-shkencore, hulumtuese, artistike dhe profesionale-aplikative.
Struktura drejtuese e institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre hulumtuese-shkencore, në këtë zgjidhje ligjore që është në draft-version, mëton ta plotësojë kushtin e respektimit të principit të demokracisë, sidomos në pjesën e vendimmarrjes. Në këtë segment është vendosur struktura e cila mundëson, numër më të madh të subjekteve, mbi bazë të partneritetit, kyçje në procesin e dhënies së propozimeve dhe në vendosje, duke përfshirë edhe studentët (si pjesë e bashkësisë akademike), si edhe është vendosur mekanizmi për ndalimin e koncentrimit të lartë të fuqisë në individ dhe në struktura të caktuara (rektor, dekan, shef katedre,…), ndarjen e roleve dhe përgjegjësive për të gjithë faktorët e involvuar në veprimtarinë e arsimit të lartë dhe atij shkencor-hulumtues. Ligji i ri i kyç studentët si parner të barabartë në vendimarrje, në organet dhe trupat e institucioneve të arsimit të lartë dhe me këtë kontribuohet në realizimin e interesave të studentëve dhe në forcimin e bashkësisë akademike, e nga ana tjetër nxit kultivimin e vlerave dhe praktikave demokratike.
Duke pasur parasysh se veprimtaria e arsimit të lartë dhe hulumtimi shkencor është, në masë të madhe, i varur nga kualiteti i programeve studimore dhe atyre lëndore që ofrohen për studentët, në Ligjin e ri të arsimit të lartë, ato zënë vendin me rëndësi në brendinë e shtjellimit të saj. Struktura, organizimi, vëllimi, lloji, kohëzgjatja dhe vlerësimi përmes kredive i programeve të reja studimore dhe atyre lëndore duhet të përkojë me sugjerimet e dala nga Deklerata e Bolonjës, respektivisht nga vetë Procesi i Bolonjës si tërësi. Programet studimore në Republikën e Maqedonisë, sipas Ligjit të ri të arsimit të lartë, duhet t’i pasqyrojnë specifitetet e sistemit tonë të arsimit të lartë, por edhe të jenë të krahasueshme me programet e ngjajshme studimore nga Hapsira e përbashkët evropiane e arsimit të lartë. Kjo veçanërashit i përket programeve të profesioneve të rregulluara, si parakusht për pranimin e ndërsjelltë të kualifikimeve profesionale mes vendeve të ndryshme.
Ligji i arsimit të lartë i kushton kapitull të veçantë studentëve, si anëtarë të barabartë të bashkësisë akademike. Aty janë të definuara të drejtat e studentëve, obligimet e tyre për gjatë studimeve, standardi i studentëve dhe organizimi i jetës studentore, kriteret dhe mekanizmat të cilat e garantojnë pavarësinë në raport me reprezentativitetin dhe promovimi i mundësive për veprim të organizuar kolektiv dhe masovik në sferën akademike, shoqërore dhe ate politike. Në këtë ligj të ri, parashikohet formimi i Kuvendit universitar të studentëve, si trup i veçantë i universitetit, ku anëtarë të saj janë përfaqësuesit e studentëve. Ky kuvend studentor i mbron interesat e studentëve dhe përmes përfaqësuesve të vet merr pjesë në vendimarrje, në organet dhe trupat e universitetit, për qëllim të realizimit të të drejtave në interes të tyre dhe të arsimit të lartë në përgjithësi. (vijon nesër)