Sezoni i përgatitjeve të ajvarit dhe turshive ka filluar. Ngjashëm sikurse dhe vitet e tjera çmimet nuk kanë ndryshuar për shumë kultura. Çmimi i specave është po ashtu i njëjtë ndërsa numri i blerësve çdo vit po ulet, e sipas bujqve kjo ndodh për shkak migrimit dhe obligimeve që kanë qytetarët të cilët nuk mund të merren me përgatitje
Remzije BILALLI
Shkup, 19 shtator – Ka filluar sezoni ku qytetarët fillojnë përgatitjet e tyre për stinën e dimrit, e në veçanti përgatitjet ushqimore siç janë ato më tradicionalet – ajvari dhe turshitë. E gjatë kësaj sezone tregjet e gjelbra në qytetet e Maqedonisë së Veriut janë përplot me speca të kuq,domate, patëllxhan dhe perime të tjera. Çmimet e specave lëvizin nga 28 deri më 30 denarë për kilogram. Sipas tregtarëve ky është çmimi i zakonshëm i cili pothuajse çdo vit është i njëjtë, kurse ky çmim varet nga vëllimi i prodhimtarisë si dhe kushteve klimatike, shkruan gazeta KOHA.
Xhemail Zendeli nga fshati Luboten, tregtar i kulturave kopshtare, theksoi se këtë vit kushtet klimatike ishin në favor të tyre dhe se kualiteti është mjaft i mirë sa i përket specave. “Çmimet pothuajse janë të njëjta çdo vit, po për dallim nga viti në vit kemi ulje të blerësve. Ne qoftë se më parë shisja dhjetë kuti gjatë ditës tani përafërsisht shes shtatë kuti ose gjashtë. Besoj se shkaku mund të jetë ulja e numrit të popullsisë për dallim nga më parë dhe shumica e njerëzve për shkak obligimeve që kanë turshitë i blejnë të gatshme, por nuk besoj se kjo është si rezultat i çmimit sepse ai është pothuajse i njëjtë çdo vit dhe deri tash nuk kemi pasur ankesa nga blerësit”, tha Zendelit për gazetën KOHA.
Ai shtoi se duke pasur parasysh stresin dhe frikën të cilën e përjetojnë bujqit gjatë gjithë sezonit për shkak kushteve klimatike të cilat kohën e fundit kanë variacione të mëdha dhe sigurinë e specave në treg për shitje i bën që ndonjëherë të mendojnë për çmimin, mirëpo duke pasur parasysh ekonominë e vendit ata janë të kënaqur me këto çmime.
Zendeli i cili përpos prodhimtarisë bujqësore, ushtron profesionin e mësimdhënësit në Shkollën e mesme të Bujqësisë theksoi se në këndvështrimin e një blerësi shpenzimet për përgatitjen e ajvarit janë të përballueshme por duke pasur parasysh se ka dhe shumë shpenzime të tjera në total jo çdoherë arrijmë të përgatisim aq sa duhet.
Ndryshe, çdo familje mesatarisht blinte nga 50 deri ne 65 kg speca e cila kushtonte afro 1700 denarë duke mos i llogaritur harxhimet e tjera ku përfshihen komponentët tjerë, rryma, drutë dhe disa shpenzime të tjera dhe ajo që është më me rëndësi lodhja fizike. Nga ana tjetër, për qytetarët të cilët vizitojnë tregun, ky çmim është më lirë dhe ka më shumë llogari të përgatisin vetë ajvarin dhe gjërat e tjera se sa ti marrin të gatshëm nga shitorja. “Besoj se turshitë e bëra vetë janë më të mira dhe çmimet e tregut nuk janë aq të larta qe të mos mundemi ti përballojmë. Kualiteti i specave është i mirë, duke filluar prej atyre që janë 28 denarë e deri tek më të shtrenjtët, ndërsa gjithkush blen aq sa ka mundësi, por mendoj që të bësh vetë është më ekonomike dhe më e sigurt për tu ushqyer”, u shpreh një qytetar në tregun e Kumanovës. (koha.mk)