Shkup, 12 maj – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë duke u bërë përgatitjet e fundit para fillimit të seancës solemne për inaugurimin e presidentit të ri Stevo Pendarovski. Akoma janë duke ardhur delegacionet të cilat do ta ndjekin inaugurimin e Pendarovskit në Parlament.
Në inaugurimin e Pendarovskit do të marrin pjesë presidenti bullgar, Rumen Radev, presidenti shqiptar, Ilir Meta, presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Të pranishëm do të jenë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, ministri grek i Punëve të Jashtme, Georgios Katrugallos, zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Maciej Lang, zëvendëskryeministri i Turqisë, Faruk Kajmakçi dhe përfaqësuesi i lartë i kabinetit të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor.
Ftesa për prani në inaugurimin përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme u janë dërguar të gjithë shefave të shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, si edhe nga vendet e rajonit.
Në seancën solemne do të marrin pjesë anëtare të Qeverisë, ndërsa pritet të pranishëm të jenë edhe deputetë të të gjitha grupeve të deputetëve.
Çdo moment pritet në Kuvend të vijë edhe presidenti i ri Pendarovski.
Në Kuvend tashmë kanë arritur një pjesë e përfaqësuesve të korit diplomatik midis të cilëve edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, ambasadori holandez Plomb dhe të tjerë.
Inaugurimin në Kuvend gjithashtu do ta ndjekin ekipe të shumta të gazetarëve nga vendi dhe jashtë.
Pasi Pendarovski të japë deklaratë solemne dhe pasi të mbajë fjalim, është paralajmëruar koktej solemn. Përfaqësues të grupeve të deputetëve në Kuvend paralajmëruan deklarata për mediat pas fjalimit të Pendarovskit.
Sipas informacioneve të Kuvendit inaugurimin do ta ndjekin ekipe mediatike edhe nga rajoni si Bullgaria, Greqia dhe Serbia dhe të tjera.
Rreth objektit të Kuvendit ka prani të shtuar të forcave policore.