Shkup, 5 dhjetor – Vaksina për Kovid-19 në shtet pritet të arrijë në fillim të vitit të ardhshëm, nuk do të jetë e detyrueshme, ndërsa do të jetë falas për të gjithë qytetarët. Trupi koordinues për vaksina për Kovid-19 dje definoi disa hollësi rreth procesit të vaksinimit, si hap i ardhshëm në përballjen me pandeminë e virusit Kovid-19. Edhe në statistikën e mbrëmshme të Ministrisë së Shëndetësisë për 24 orët e kaluara ishin regjistruar mbi 1.000 të saposëmurë. Janë regjistruar 585 pacientë të shëruar dhe 30 të vdekur.
“Tashmë janë siguruar 833.000 vaksina kundër Kovid-19 për 400.000 qytetarë përmes mekanizmit Kovaks të OBSH-së, Aleancës Globale për Imunizim. Ne do t’i marrim vaksinat sipas planit të shpërndarjes që do ta përcaktojë Kovaks dhe shumë shpejt do të presim informacione konkrete prej tyre. Përveç këtij mekanizmi, ne kemi dorëzuar kërkesa për kontrata direkte tek kompanitë “Astra Zeneka” dhe “Fajzer” për vaksinat e tyre dhe pas përgjigjeve të tyre fillestare po e presim konfirmimin e tyre se do të jemi në gjendje të sigurojmë sasi shtesë nga kompanitë. Qëllimi është të vaksinohen 60 deri në 70 për qind e popullsisë sepse ekspertët besojnë se kjo është një përqindje e mjaftueshme e popullatës së vaksinuar për të fituar imunitet”, deklaroi ministri Filipçe.
Çmimi i furnizimit për një vaksinë, sipas dokumenteve fillestare të cilat i kanë marrë përmes mekanizmit kovaks, është 10 dollarë. Ai theksoi se vaksinimi do të kryhet në pikat e vaksinimit dhe spitalet, do të zhvillohet një proces i shpejtë trajnimi për vaksinimin në përputhje me specifikat e vaksinave dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë do të trajnohen si duhet. Vaksinimi i grupeve specifike të punëtorëve shëndetësorë, theksoi ai, do të kryhet në institucionet shëndetësore publike ku ata punojnë.
Ai theksoi se është marrë vendim si prioritet të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësorë që punojnë në kovid-qendrat ose janë të ekspozuar drejtpërdrejt ose punojnë me të sëmurë ose të dyshuar, pjesa e punonjësve shëndetësorë që punojnë në marrjen e strishove, qytetarë mbi 65 vjeç dhe pacientë me sëmundje kronike, në pjesën e sëmundjeve kronike të mushkërive dhe kardiovaskulare sipas kodeve të diagnozës përmes sistemit “Termini Im”, punonjësit në infrastrukturën kritike dhe në transport.
“Sa i përket ruajtjes së vaksinave, tani, historikisht shikuar prej më parë një periudhë të gjatë te ne, vaksinat janë te operatorët ekonomikë të cilët importojnë. Më tutje, ata e marrin obligimin gjithashtu për shpërndarjen për pikat e vaksinimit dhe konsiderojmë se është sistem më logjik, më praktik dhe më i lehtë që kjo vaksinë të vendoset në atë sistem me atë që në sistemin e ruajtjes dhe magazinimit vetëm shtohen këto frigoriferë t cilët do t’i marrim për temperaturë – 70, ndërsa për të gjitha hapësirat e tjera magazinuese tashmë kemi leje nga operatorët ekonomikë që t’i shfrytëzojmë edhe për këtë vaksinë”, tha Filipçe në konferencë për media. Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët të përmbahen nga festimet dhe grumbullimet.
Siç sqaroi mjekja Aleksandra Grozdanova, kryetare e Komitetit për Imunizim pranë Ministrisë së Shëndetësisë, rregulli për marrjen e vaksinave si për të gjitha vaksinat e tjera, ashtu edhe për vaksinën kovid – pranohet në gjendje të mirë shëndetësore.
Pacientët që kanë kaluar kovid, në varësi prej gjendjes në të cilin gjendet dhe periudhën kohore gjithsesi se do të munden, nëse duan, ta pranojnë vaksinën kovid, por duke pasur parasysh do të kemi listë prioritare do të duhet në një far mënyre të jenë prioritarë pikërisht këto kategori, tha Grozdanova.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dje në qendrat për kovid në spitalet e vendit është regjistruar se mjekohen gjithsej 843 pacientë pozitivë dhe të dyshuar në koronavirus. Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar për koronavirusin që trajtohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin arrin 1.286 dhe ka rreth 160 shtretër spitali të zbrazët në qendrat kovid.
Sipas raporteve të spitaleve që arrijnë në Ministrinë e Shëndetësisë në baza ditore, 79 pacientë pozitivë dhe të dyshuar për KOVID-19 janë të shtruar në spitalin në Manastir. Në spitalin e Shtipit janë hospitalizuar 65 pacientë. Në repartin infektiv në Tetovë ka 39 pacientë, në Veles trajtohen 57 të sëmurë, ndërsa në Kumanovë 116 pacientë pozitiv dhe të dyshuar në Kovid-19. Në qendrën kovid në Ohër ka 105 pacientë të hospitalizuar, në Prilep 123, në qendrën Kovid në Gostivar 61, ndërsa në Strugë 36. Në spitalin e Strumicës janë hospitalizuar 68 pacientë, në Koçan 18, në Kërçovë 20, Kavadar 39, kurse në Gjevgjeli 17 persona pozitiv dhe të dyshuar në koronavirus. Nga MSH potencojnë se të gjitha repartet e spitaleve klinike kanë vende spitalore që kanë akses në oksigjen.
Ditëve të fundit po vërehet rënie e lehtë e të sapoinfektuarve. Në 24 orët e kaluara janë bërë 2.824 testime, ndërsa janë regjistruar 1.100 raste të reja të Kovid-19. Nga të regjistruarit e rinj përsëri numri është më i madh në Shkup, ku janë regjistruar 439 raste, pas çka vijojnë Manastiri me 73, Gostivari me 68, Tetova me 58, Kumanova 56, Prilepi 52, Kavadari 51, Strumica 33,…
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 66.330 numri i pacientëve të shëruar është 42.241, i të vdekurve është 1.877, ndërsa numri i rasteve aktive është 22.212.