Shkup, 12 dhjetor – Qeveria e Republikës së Maqedonisë si propozues i autorizuar për ndryshime kushtetuese në afat prej dy ditësh duhet të dorëzojë raport të sublimuar prej diskutimeve publike për sugjerimet kryesore dhe propozimet për përsosjen e projekt-amendamenteve, ose si amendamente për amendamentet.
Procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të përfundojë me miratimin e amendamenteve të propozuara pas debatit publik dhe me Vendimin për ndryshimin e Kushtetutës që do ta sjellë Kuvendi me shumicë votash prej dy të tretave prej numrit të përgjithshëm të deputetëve, në seancën e cila është paraparë të mbahet më 15 janar 2019.
Diskutimi publik filloi me debatin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe më pas vazhdoi me ngjarje të hapura për ndryshimet e propozuara kushtetuese në ASHAM, në Universitetin FON, në Komunën e Shtipit dhe në Tetovë në Universitetin e Evropës Juglindore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të opinionit akademik dhe të ekspertëve, përfaqësues të sektorit qytetar si edhe të qytetarëve të cilët treguan interes të madh në ftesën e hapur të Qeverisë së RM-së.
Nga Qeveria theksojnë se diskutimet publike për projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese me qëllim të zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar me Greqinë, me çka duhet të mundësohet inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përfunduan në afatin e paraparë prej pesë ditësh dhe përfshinë një spektër të gjerë të palëve të involvuara.
Përmes diskutimeve u prezentuan tekstet e katër projekt-amendamenteve të miratuara përmes procesit kuvendor, ndërsa kujdes iu kushtua propozimeve konstruktive prej deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë si edhe propozimeve të ekspertëve dhe qytetarëve të cilët erdhën përmes debatit të hapur.
Si sugjerim i cili u mor parasysh, theksojnë nga Qeveria, u debatua edhe për opsionin në Kushtetutë të theksohet se Republika e Maqedonisë përveç për kujdesin për popullin maqedonas në diasporë, të kujdeset edhe për diasporën e bashkësive të tjera etnike.
Pjesëmarrësit në të gjitha pesë debatet, u bashkuan rreth qëndrimit se me Marrëveshjen e Prespës dhe zgjidhjen e çështjeve prej më shumë dekadave mbyllet edhe kapitulli i çështjeve identitare, e cila së bashku me anëtarësimin në NATO dhe në BE, janë tre qëllimet të cilat Qeveria dëshiron t’i arrijë me këtë Marrëveshje, duke e pasur parasysh faktin që ajo bazohet në parimet evropiane, vlerat, respektimin e miqësisë së përhershme dhe të drejtave të njeriut dhe se ndryshimet kushtetuese duhet të shihen në kontekst të përfitimeve.
Kryeministri Zoran Zaev është optimist se do të ketë shumicë prej dy të tretash.
“Jam i bindur se procesin do ta mbyllim në kuadër të asaj që jemi dakorduar dhe ashtu siç do të shkruaj në vendimin për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese në Ligjin për Ndryshime Kushtetuese, gjegjësisht se amendamentet janë pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe do të hyjnë në fuqi me ditën e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shfuqizimin e Marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 dhe për vendosjen e partneritetit strategjik midis palëve dhe ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO nga Republika e Greqisë”, tha Zaev në njërin prej debateve publike.
Ai potencoi se ndryshimet e Kushtetutës do të vlejnë pasi Greqia t’i zbatojë obligimet e veta gjegjësisht kur të njëjtën dinë do t’i ratifikojë Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit me emrin dhe Protokollin për anëtarësimin tonë në NATO.
Të hënën, 17 dhjetor duhet të mbahet seancë e Komisionit kuvendor për çështje kushtetuese.
Votimi i fundit në Dhomën ligjdhënëse i kërkon të paktën 80 vota.