Shkup, 31 janar – Po përgatitet ndryshimi i tabelave me emrin e ri të shtetit. Institucionet shtetërore, vendkalimet kufitare dhe përfaqësitë diplomatike konsullare kanë afat prej shtatë ditëve nga ratifikimi në Greqi të Protokollit për qasje të Republikës së Maqedonisë në NATO që të fillojnë me ndryshimin e tabelave. Qeveria paralajmëroi edhe formimin e Grupit ndërresor, i cili do të fillojë me punë menjëherë pas ratifikimit të Protokollit dhe i cili duhet të përpunojë Plan aksional kombëtar për masa dhe aktivitete të mëtejshme për kryerjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, informon Koha.
Nga Qeveria nuk presin probleme nga institucionet shtetërore gjatë përdorimit të emrit të ri të shtetit dhe theksojnë se mbeten tërësisht të përkushtuar në imlementimin e Marrëveshjes nga Prespa.
“Menjëherë pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO në Athinë, hyjnë në fuqi këto masa që dje i kemi miratuar. Grupi ndërresor menjëherë fillon me punë. Nuk është paraparë afat, por kjo do të thotë menjëherë. Nuk kemi afat, nuk ekziston, afati është shtatë ditë për hyrje në fuqi të këtyre masave. Nisemi menjherë në ndryshimin”, tha dje zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski në konferencën e rregullt për shtyp.
Përdorimi i emrit të ri të shtetit do të kushtëzohet edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që do të thotë se tabelat do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe, pasi, siç tha Boshnjakovski, shqiptarët janë 20 për qind në nivel shtetëror.
Rekomandime për ndryshimin e tabelave do të marrin edhe njësitë e vetadministrimit lokal, ndërsa sektoret dhe shërbimet për marrëdhënie me opinionin të institucioneve shtetërore dhe publike do të marrin orientime për përdorimin e emrit kushtetues.
Tani për tani nga Qeveria nuk zbulojnë sa do të kushtojë tërë ky proces i ndryshimit, por thonë se kjo do të dihet pasi të përfundojë tërë procedura.
Ndryshimi i emrit kushtetues të Maqedonisë vijon pas nënshkrimit të Marrëveshjes nga Prespa dhe ratifikimit të tij në parlamentet e dy shteteve. Pas kontestit 27-vjeçar me Greqinë, Maqedonia do ta ndryshojë emrin nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Lidhur me atë nëse harxhimet për ndryshimin e dokumenteve personale dhe tabelave të automjeteve do të bëhen në barë të qytetarëve ose shteti do të ndajë mjete për këtë dedikim, Boshnjakovski tha se ndërrimi i pasaportave do të jetë i rregullt dhe kjo do të jetë në barë të qytetarëve.
“Ndërrimi i pasaportave do të jetë i rregullt. Ndërrimi i rregullt i të gjithëve mbetet i rregullt si deri tani. Nuk do të vlejnë pasaportat që do të jepen dhjetë vite, por afati do të jetë pesë vite nga momenti i hapjes së kapitujve dhe ky harxhim do të jetë në barë të qytetarëve, pasi do të jetë harxhim i rregullt”, tha Boshnjakovski. (koha.mk)