“Me Miroslav Lajçak-un kam diskutuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen serbët për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”, ka shkruar presidenti serb Aleksandër Vuçiç pas një takimi me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq dhe Lajçak u takuan në orën 11:00 dhe takimi ka zgjatur rreth një orë.
“Theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë”, thotë Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.
“Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe arritjes së kushteve më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve”.
Takimi mes Lajçak-ut dhe Vuçiç-it vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë acaruar sërish, sidomos pasi Kurti emëroi Nenad Rashiç-in ministër, gjë që Vuçiç-it nuk i pëlqeu, pasi ai pretendon se Rashiç nuk është përfaqësues i vërtetë i serbëve të Kosovës.
Pritej që Vuçiç pas takimit të jap njoftimin nëse ka vendosur të udhëtojë drejt Shqipërisë, për të marrë pjesë në Samitin e BE-së në Tiranë, por nuk ka shkruar rreth kësaj teme.
Gazeta serbe Danas raporton se Vuçiç shkon për të parë një stërvitje ushtarake të ushtrisë serbe dhe aty pritet të njoftojë nëse do të shkojë apo jo.
Pas takimit me Vuçiç-in, Lajçak pritet të vizitojë edhe Kosovën.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i pyetur për arsyen e takimit, tha se janë në kuadër të procesit të punës së Lajçak-ut, por gjithashtu se po përgatitet një takim i nivelit të lartë të liderëve.
Pritej që pas marrëveshjes për targat ilegale serbe që qarkullojnë në Kosovë, t’i hapet perspektiva dialogut për temën e madhe – marrëveshjen finale me bazë propozimin franko-gjerman – por emërimi i Rashiç i ka komplikuar punët.
Albanian Post ka shkruar me 2 dhjetor se si çështja e Rashiç mund të kthehet në një problem edhe më të madh se ai me targat.
Derisa para disa ditësh si protestë serbët e Veriut lëshuan institucionet, tash ka rrezik që të provojnë diçka shumë më radikale – tentimin për të bllokuar pjesën e Veriut për institucionet e Kosovës.
Këtë paralajmërim e dha të premten presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. “Gjithçka po vlon”, tha ai në një konferencë për media.
“Serbët në jug të Ibrit janë afër vendimit për t’u larguar nga institucionet. Jo më vetëm ata nga veriu, por serbët në jug të Ibrit”, e theksoi Vuçiç.
Kurse, “serbët në veri të Ibrit”, pohoi “janë afër vendosjes që të mos lejojnë askënd të hyjë në veri”.
Serbët kanë problem me Rashiç-in sepse ai është serb nga Kosova që e pranon shtetin e Kosovës dhe nuk kontrollohet nga Beogradi. Por, fatkeqësisht, Rashiç është edhe një politikan serb që nuk merr vota nga komuniteti i tij.
Prandaj, Lista Serbe, partia më e votuar nga serbët në Kosovë, e kundërshtoi ashpër emërimin e tij ministër, por edhe emërimin e Rada Trajkoviç si këshilltare të Rashiç-it – edhe kjo një politikane më e moderuar serbe e Kosovës, por që nuk gëzon përkrahje mes komunitetit.
Pas emërimit, situata u përshkallëzua dhe Vuçiç doli e ofendoi Rashiç-in e Trajkoviç-in duke i quajtur “llumi i serbëve” derisa kryeministrin e Kosovës “llum terrorist”.
Ai, meqë konsideroi se reagimi i Bashkimit Evropian për këtë veprim të Kurtit nuk ishte mjaftueshëm i ashpër, njoftoi se po e bojkoton Samitin që mbahet në Tiranë me 6 dhjetor. (Albanianpost)