Para pak minutash ka përfunduar takimi i pozitës dhe disa partive opozitare, që ishte thirrur për të biseduar rreth rezolutës për dialogun, raporton zeri.info.
Me këtë rast, kreu i kuvendit, Kadri Veseli, tha se pozita dhe dy partitë opozitare, PSD dhe Alternativa janë pajtuar që Kosova duhet ta ketë vetëm një qëndrim rreth dialogut.
“Kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Prej muajit maj kam bërë përpjekje që t’i thërras partitë në grupe të përbashkëta.
Kosova duhet të jetë me një zë, me një qëndrim. Kosova nuk duhet t’i lë Serbisë të tregojë lidership më shumë se ne dhe partneritet më shumë se ne. Rezoluta është e hapur për të futur gjëra që janë në interes”, deklaroi Veseli.
Më tej, Vesei pati edhe një mesazh për LVV dhe LDK-në që nuk morën pjesë në këtë takim.
“Kam një mesazh për partitë opozitare që nuk janë duke marrë pjesë për arritjen e konsensusit. Nuk mund të jetë ballafaqimi me Serbinë fushëbetejë për luftën për pushtet. Më e rëndësishme është e ardhmja jonë euroatlantike”, theksoi ai.