Përfundon ngërçi, Bekim Memeti zgjidhet kryetar i Këshillit

Kryetari i sapozgjedhur nuk ka dhënë informacione se përkrahja e sotme nga PDSH dhe dy këshilltarët e BESËS ka të bëjë me ndonjë koalicion në nivel qendror, por ai nënvizoi se këshilltarët kanë votuar në bazë të bindjeve të tyre personale

21

Urim HASIPI

Tetovë, 30 mars – Me 18 vota “për”, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës është zgjedhur Bekim Memeti i BDI-së. Krahas nëntë votave të BDI-së, Memetin e kanë votuar tre këshilltarët e LSDM-së, tre këshilltarët e PDSH-së, dy këshilltarë të Lëvizjes Besa dhe një nga komuniteti turk, shkruan gazeta KOHA. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët edhe tre të tjerë të Lëvizjes Besa kanë votuar të përmbajtur.

Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit, Bekim Memeti, tha se do të punojë me të gjitha grupet e këshilltarëve për të mirën e qytetit. “Besoj thellësisht se të gjithë së bashku do të vendosemi në funksion të realizimit të projekteve që shkojnë në të mirë të gjithë qytetarëve tanë. Ne mund të vijmë nga orientime të ndryshme politike, por jam i bindur që secili nga ne mbetet në funksion të mirëqenies dhe zhvillimit të përbashkët. Pa diskutim që do të jem i hapur për bashkëpunim në nivel të institucionit që përfaqësoj dhe me një mirëkuptim dhe dialog të përhershëm, do të promovojmë dhe forcojmë angazhimet tona për një jetë sa më të mirë në qytetin tonë”, deklaroi Memeti.

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së kanë patur vërejtje për pikat e rendit të ditës që janë miratuar ngase, sipas  tyre, të njëjtat duhet paraprakisht të miratohen në komisione dhe më pas të kalojnë në seancë. Seanca ka zgjatur mbi tre orë ku edhe janë miratuar 20 pika të rendit të ditës, në mesin e të cilëve edhe llogaria përfundimtare e Komunës së Tetovës për vitin 2017, raportet financiare të ndërmarrjeve publike komunale dhe ndërmarrjes Parkingu i Qytetit.

Këshilltarët e opozitës në disa pika kanë votuar “për”, në disa të përmbajtur, ndërsa në shumicën e pikave “kundër” kanë qenë këshilltarët e VMRO-së. Po ashtu, këshilltarët me shumicë votash kanë votuar edhe një huamarrje të Komunës së Tetovës. Me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës janë evituar ripërsëritjet e zgjedhjeve për përbërjen e këshillit. Kryetari i sapozgjedhur nuk ka dhënë informacione se përkrahja e sotme nga PDSH dhe dy këshilltarët e BESËS ka të bëjë me ndonjë koalicion në nivel qendror, por ai nënvizoi se këshilltarët kanë votuar në bazë të bindjeve të tyre personale. (koha.mk)

 

Comments are closed.