28 shkurti është dita e fundit e merkatos së dimrit për skuadrat kineze të cilat kanë tërhequr drejt Lindjes së Largët lojtarë të kalibrit botëror. Klubet kineze me ofertat e tyre “faraonike” janë kthyer një problem serioz për gjigantët europianë të cilët së fundmi kanë pasur probleme për të mbajtur në skuadër lojtarët që kërkojnë shuma të majme financiare. Vetëm gjatë kësaj merkatoje klubet kineze kanë shpenzuar plot 320 milionë sterlina ose e thënë ndryshe 375 milionë euro, shkruan tabloidi britanik “The Sun”. Carlos Tevez, Axel Witsel, Odion Ighalo dhe Oskar janë emrat e njohur që zgjodhën të vazhdojnë aventurën e tyre në Kinë. Shanghai SIPG dhe Hebei Fortune dolën jashtë pritshmërive pasi gjatë kësaj merkatoje respektivisht shpenzuan 67 milionë sterlina (78 milionë euro) dhe 77 milionë sterlina (90 milionë euro). E vetmja mënyrë për t’i ndalur skuadrat kineze drejt çmendurive financiare janë rregullat parandaluese që priten të vendosen nga qeveria kineze dhe FIFA.