Shkup, 30 janar – Pas Bilallit, Adilit, Mustafit, Sadriut dhe Vakilit, Musliu është futbollisti i gjashtë që bashkohet me Shkëndijën në këtë afat kalimtar, me çka mbyllet merkatoja e kuqezinjve për gjysmësezonin pranveror ku kërkohet titulli i kampionit. Mbrojtësi qendror vjen te Shkëndija në formë huazimi nga radhët e FC Prishtinës, me opsion për blerje të kartonit të plotë të lojtarit në fund të sezonit aktual. 23 vjeçari i dalë nga shkolla e futbollit Gostivari, përmes Renovës nga një sezon ishte pjesë e Sent Galenit të Zvicrës dhe Vardarit të Shkupit. Paraqitjet bindëse e kanë bërë pjesë e gjithë përfaqësueseve të reja të Maqedonisë, me U21 ishte pjesë e suksesit historik dhe pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian për të rinj në Poloni, ndërsa u konfirmua standard në përfaqësuesen A në fund të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”.
Ndërkohë, KF Shkëndija ka zyrtarizuar të hënën pasdite marrëveshjen me mbrojtësin nigerian Alma Abbo Vakili. 21 vjeçari vjen nga Trakai i Lituanisë dhe pritet të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes. Futbollisti nga Nigeria la përshtypje pozitive në dy përballjet Shkëndija-Trakai në turin e tretë eliminator të Liga Evropës, pas së cilës gjithë këtë periudhë ishte nën monitorim të stafit teknik. Edhe pse në moshë të re, ai vlerësohet mbrojtësi i majtë më i mirë në kampionatin lituanez, me një shpejtësi admiruese, ndërsa në Evropë ka zbarkuar përmes AS Eupen të Belgjikës. Kështu kuqezinjtë mbyllën me sukses negociatat me futbollistin dhe Trakain, duke e sjell zyrtarisht atë në Tetovë. Ndërkohë, shkaku i vizës nigeriani nuk do të mund të bashkohet me skuadrën në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë dhe këtë periudhë do të stërvitet me ekipin e juniorëve kuqezi në Tetovë.