Me Himin Kombëtar, Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë përfunduar pa incidente protestën njëorëshe me bllokimin e trafikut në disa akse kryesore kombëtare në Tiranë dhe rrethe. Epiqendra e protestës ishte sheshi “Shqiponja”, ku bashkë me protestuesit dhe deputetët e opozitës, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në mbyllje të saj, Basha, ripërsëriti kërkesën për qeveri teknike. Përmes megafonit, kreu i PD-se tha se qeveria teknike do të garantojë luftën ndaj krimit, votimin dhe numërimin elektronik, si edhe votimin e zbatimin e Vettingut. “Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë qëndresë. Ky ishte një paralajmërim se vendosmëria e bashkimit qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.
Në përfundim të protestës, ai i bëri thirrje mbështetësve të opozitës që ta mbyllin protestën duke kënduar himnin kombëtar. Gjatë gjithë zhvillimit të saj për një orë, nuk pati asnjë incident mes protestuesve dhe policisë.