Përfundon aventura e Banegas te Interi?

Erdhi me parametër zero, por si super përforcim nga Sevilla pasi bëhet fjalë për mesfushor kreativ, dominues në mesfushë, mirëpo pas vetëm katër muajsh ai po diskutohet me të madhe si dështim. Fjala është për argjentinasin Ever Banega i cili edhe në ndeshjen e fundit kundër Napolit në disfatën 3:0, ishte ndër më të dobëtit në fushë, e për këtë faji është personalisht i tij e më pas edhe sistemi i futbollit që luhet në Itali. Shumë shpesh është thënë se Serie A, i kapërdinë shumë talent futbolli pasi në këtë kampionat që është i përkryer taktikisht, lojtarët duhet të jenë më shumë se vetvetja dhe të jenë jashtëzakonisht inteligjent për të luajtur apo treguar se meritojnë përbërjen e parë, ndërsa Banega këtë nuk po e arrin. Po flitet shumë se Inter do ta shet atë që në afatin kalimtar dimëror, ndërsa klient ka me bollëk nga të gjitha anët, por edhe në Itali mbi të gjitha.