Ka përfunduar operacioni ‘Shënjestra’ i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë arrestuar 18 persona, dhe janë konfiskuar shuma të mëdha parash, armë e municione, që dyshohet se vinin nga Maqedonia e Serbia, shkruan Gazeta Metro.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se pas një hetimi intenziv disa mujor, i filluar nga fundi i vitit 2018, me masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, kanë kryer disa bastisje në disa lokacione në regjione të ndryshme në tërë Kosovën.
Gjatë këtyre basistsjeve janë sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municion të llojeve të ndryshme, dhe atë deri më tani 37 revole, 8 armë gjuetie, 3armë AK-47 , 2 armë gjysmë automatike, 7 armë të gjata, 1 pushkë ajrore, 18 karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth 9000 copë të kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu janë sekuestruar të holla rreth 10.000 € si dhe dy (2) vetura, ku me këtë rast janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, me inicialet: A.F., P.F., M.F., M.SH., I.R., R.M., N.M., P.M., A.F. , B.A., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J., S.K., F.U.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se operacioni ende është duke vazhduar.