Pas më shumë se gjashtë orë përfundoi koordinimi i kreut shtetëror-politik.
Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është optimist që mund të gjendet konsensus nacional për këtë çështje. Ai tha se ky proces kërkon përgjegjësi dhe nevojë për përfshirjen e të gjithëve.
“Ky ishte një takim informativ për idetë e propozuara të ndërmjetësuesit Metju Nimic. Ky proces kërkon përgjegjësi. Kemi për qëllim që të sigurojmë përparim dhe mbrojtje të interesave nacional. Është e nevojshme përfshirja e të gjithëve”, tha Zaev.
Ai shtoi se zgjidhja është e mundshme nëse ka vullnet edhe nga pala greke. “Ne do të vazhdojmë të negoiciojmë”, tha Zaev dhe shtoi se duke të kihet kujdes që procesi negociues të mos dëmtohet. Kryeministri, gjithashtu tha se në të ardhmen do të formohen grupe punuese për tekstet shkollore.
“Nuk do të komentoj pozicionet greke. Unë jam optimist se mund të gjendet koncensus nacional për këto çështje”, u shpreh Zaev.
Lideri i VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski, deklaroi se Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe se VMRO-DPMNE mbetet në mburojën e mbrojtjes së interesave nacionale dhe shtetërore.
“Prej këtij momenti e tutje tërë procesin për udhëheqjen e negociatave për kontestin me Republikën e Greqisë e ka Qeveria. VMRO-DPMNE është mbështetës i fuqishëm dhe mbetet në pozitë që Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe se VMRO-DPMNE mbetet në mburojën e mbrojtjes së interesave nacionale dhe shtetërore të Republikës së Maqedonisë”, tha Mickovski. Sipas tij, një takim i këtillë është dashur të mbahet më herët.
Kryetari Gjorgje Ivanov tha se të gjitha takmet e këtilla janë të domosdoshme. Ai informoi se është prezantuar propozimi i Nimicit, por nuk dëshiroi të zbulojë detaje.
Detaje nuk zbuloi as edhe Ali Ahmeti me qëllim që, siç tha ai, të mos dëmtohet procesi.
“Ky është fillimi i një fundi të një procesi të rëndësishëm. Është shumë me rëndësi që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe aktor stabiliteti në rajon”, u shpreh Ahmeti.