Me thirrje për paqe me talebanët dhe premtimin se do të lirohen 175 të burgosurit talebanë para Muajit të Shenjtë të Ramazanit, sot përfundoi Asambleja e Përgjithshme në Afganistan,që e thirri presidenti Ashraf Gani.
Më shumë se tre mijë delegacione nga të gjitha pjesët e Afganistanit u mblodhën në Kabul në seancën e Asamblesë së Përgjithshme,me qëllim që të arrihet marrëveshje paqësore midis autoriteteve qendrore dhe talebanëve.
Asambleja e Përgjithshme “Loja Xhirga” u zhvillua nën masa të fuqishme të sigurimir, në një tendë të madhe në të cilën rreth 3.200 liderë fetarë,politikanë dhe përfaqësues të bashkësive etnike dhe fisnore biseduan për një marrëveshje të mundshme.
“Dëshiroj t’u them talebanëve se zgjedhje tani është në duart e tyre”,tha Gani në ceremoninë e mbylljes në Kabul dhe shtoi se tani ata e kanë radhën për të treguar çka dëshirojnë të bëjnë.
Gani tha se mesazhi nga tubimi pesë ditore është i qartë – afganët duan paqe dhe ofruan ndërprerje të zjarrit, edhe pse ai theksoi se kjo nuk do të jetë e njëanshme.
Në kumtesën që sot u publikua, talebanët i hodhën poshtë propozimet për ndërprerjen e zjarrit, duke theksuar se së pari duhet të tërhiqet SHBA-ja dhe NATO-ja nga vendi.
Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë të sulmojnë edhe gjatë Muajit të Ramazanit, por edhe se luftëtarët janë shumë të kujdesshëm ndaj civilëve gjatë cilit do operacion.
Talebanët, të cilët përpiqen sërish të vendosin ligje të ashpra të sherijatit,refuzojnë të bisedojnë me Qeverinë e presidentit Ashraf Gani, sepse e konsiderojnë si marionetë amerikane dhe për këtë e refuzuan ftesën e “Loja Xhirga”-s.
Nga tetori i vitit të kaluar, SHBA-ja dhe talebanët kanë mbajtur disa raunde negociatash.
Presidenti amerikan Donald Tramp tenton ta ndërpresë luftën më të gjatë amerikane që filloi kur forcat e kryesuara nga SHBA-ja i rrëzuan talebanët pas sulmeve të SHBA-së më 11 shtator të vitit 2001.
SHBA-ja dëshiron të tërhiqet nga Afganistani,por si kundërpërgjigje kërkon nga talebanët të garantojnë se vendin më nuk do ta shfrytëzojnë ekstremistët të cilët do ta rrezikonin sigurinë në botë.
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme morën pjesë edhe disa dhjetëra gra,të cilat theksuan se Afganistani assesi nuk guxon të bëjë hap mbrapa lidhur me të drejtat e grave të marra pas rrëzimit të talebanëve.
“Tërheqja e forcave të huaja nuk duhet në asnjë rast të thotë se do të harrojmë gjithçka që është bërë për të drejtat e grave dhe se do të duhet sërish të vuajmë”.tha Semin Nuri, e cila kryeson njëri prej këshillave.(koha.mk)