Shkup, 14 qershor – Përfundoi dita e dytë e debatit për ribalancin e Buxhetit për vitin 2022 të Komisionit kuvendor për financa dhe buxhet.
Për deputetët e qeverisë, ribalanci i Buxhetit synon një përgjigje më efikase ndaj pasojave të shkaktuara nga kriza ekonomike botërore dhe janë parashikuar 76 milionë euro për masa të reja, të përshtatura dhe të synuara në ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë. Për opozitën, ribalanci është dëshmi se vendi është në prag të falimentimit, borxhi publik do të kalojë shifrën rekord prej 8 miliardë eurosh dhe qytetarët po varfërohen çdo ditë e më shumë.
Deputeti i LSDM-së, Dime Velkovski, theksoi se vendi është në një gjendje stabile, pagat dhe pensionet janë rritur, dhe inflacioni është importuar kryesisht për shkak të luftës ruso-ukrainase. Ai theksoi se qeveria ka shlyer borxhet e vjetra mbi 800 milionë euro.
“Që shteti të funksionojë ekonomikisht, duhet të plotësojë të gjitha kushtet, përfshirë shlyerjen e borxheve. Këtë shteti e bën me sukses edhe gjatë gjithë këtyre krizave. Tatimi mbi fitimin në periudhën janar-maj të këtij viti është 43,1 për qind më i lartë se në vitin 2021, në të njëjtën periudhë tatimi mbi të ardhurat personale është më i lartë për 17,9 për qind, TVSH-ja është rritur për 7,4 për qind dhe taksat doganore 34,2 për qind. Në të njëjtën kohë, vërejmë një rënie të borxhit publik prej 2.2 pikë përqindjeje dhe një rënie të borxhit të qeverisë me 1.9 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të këtij viti. Këto politika të suksesshme ekonomike duhet të vazhdojnë dhe prandaj është e nevojshme që ky buxhet shtesë të miratohet nga deputetët, tha Velkovski.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, i cili është edhe kryetar i Komisionit për financa dhe buxhet, në përgjigje për Velkovskin tha se inflacioni është vendor, ndërsa importuar rreth 40 për qind.
“Duhet të ulemi me shumicën qeverisëse dhe opozitën dhe të zgjidhim disa çështje në interes të qytetarëve. Një ribalancim i tillë i buxhetit nuk do t’u përgjigjet pyetjeve që shqetësojnë qytetarët. Kriza do të thellohet, shifrat e reja të inflacionit do të jenë më të larta se 12 përqindëshi aktual. Njerëzit po e humbin ritmin me inflacionin”, tha Stojanovski, duke shtuar se ne si shtet nuk mund t’i japim përgjigje krizës.
Velkovski në kundërpërgjigje tha se edhe ai është i vetëdijshëm se çmimet po rriten dhe se është krizë ekonomike, por Qeveria po sjell masa kundër krizës që do të ndihmojnë në tejkalimin e situatës.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Lidija Petkoska, në përgjigje për Velkovskin tha se parashikimet e qeverisë janë joreale.
Ajo kujtoi se kur u miratua Buxheti fillestar, qeveria tha se ai është zhvilluar dhe se do të krijohen kushte për rritje ekonomike, në vetëm gjashtë muaj, për të dëgjuar se nga komponenti i fuqishëm zhvillimor i Buxhetit, tani mbetet për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.
Me ribalancin e Buxhetit, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë ose 2,9 për qind më të larta në krahasim me parashikimet fillestare të buxhetit. Shuma e gjithsej shpenzimeve është 288,5 miliardë denarë ose rreth 161,1 miliardë denarë (5,9 për qind) më shumë se parashikimet fillestare me planin për vitin 2022. Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivelin prej 32,2 miliardë denarë dhe janë rreth gjashtë miliardë denarë më të ulëta se plani për vitin 2022, por nga qeveria paralajmërojnë se do të vazhdojnë projektet për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, gazsjellësit.
Në ribalancin e Buxhetit janë parashikuar rreth 70 milionë euro për masat kundër krizës, të cilat, siç paralajmëruan zyrtarë të qeverisë në të kaluarën, do t’u drejtohen atyre që kanë më shumë nevojë.
Debati për ribalancin e Buxhetit të Komisionit për Financa dhe Buxhet vazhdon të premten në ora 11:00.