Shkup, 26 janar – Deputetët në Kuvend pasdite në seancë plenare debatuan për Propozim-ligjin e plotësuar për zhvillim të barabartë rajonaë, në lexim të dytë, me zbatimin e të cilit duhet të ndihmohet në uljen e pabarazisë midis rajoneve në vend. Deputetët e përfunduan debatin, por, rreth Propozim-ligjit do të votohet në mënyrë plotësuese.
Qëllime të politikave për inkurajimin e zhvillimit të barabartë rajonal është që të mundësohet zhvillim i barabartë dhe i qëndrueshëm në të gjithë territorin të bazuar mbi modelin e zhvillimit policentrik, ulje të pabarazive midis dhe në kuadër të rajoneve planore dhe ngritjen e cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve, rritje të konkurrencës së rajoneve planore përmes përforcimit të kapacitetit të inovacionit, përdorimit optimal dhe valorizimit të pasurisë natyrore, kapitalit njerëzor dhe kapaciteteve ekonomike të rajoneve të ndryshme.
Me zbatimin e politikave duhet të mundësohet ruajtje dhe zhvillim të identitetit të veçantë të rajoneve planore, si dhe afirmim dhe zhvillim të tyre, zhvillim të rajoneve urbane, zhvillim të rajoneve me nevoja zhvillimore specifike, zhvillim të fshatrave dhe mbështetje të bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërkufitar të komunave në funksion të nxitjes së zhvillimit të barabartë rajonal.
Deputetët e opozitës nuk janë të sigurt se edhe me këtë zgjidhje ligjore do të ulet pabarazia në zhvillimin e rajoneve, por edhe në ndarjen e mjeteve.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski theksoi se me ligjin do të mundësohet shpërndarje e barabartë e mjeteve për të gjitha rajonet në vend. Do të zhvillohen, tha, edhe bashkësitë urbane, sepse në to jeton rreth 80 për qind e popullatës. Për kontroll më të madh, siç tha, edhe mjete të cilat janë nga ministritë e tjera, ndërsa janë dedikuar për vetëqeverisjet lokale, do të ndahen së bashku me ato nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përmes këshillit për zhvillim të barabartë rajonal, dhe kështu do të dihet për cilën komunë dhe për cilin rajon sa mjete janë ndarë.
Paraprakisht para pauzës deputetët në kuadër të vazhdimit të seancës së 32-të, debatuan edhe për Propozim-ligjin e plotësuar për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna mbi gratë dhe dhunës familjare, në lexim të dytë. Debati përfundoi, por u paralajmërua se edhe për të do të votohet në ndonjë nga vazhdimet e kësaj seance.