Shkup, 29 janar – Në Kuvend sot pasdite përfundoi debati i ekspertëve për ligjin për prokurorinë publike, në organizim të Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, transmeton gazeta KOHA.
Sotir Kostov, jurist, duke folur për Propozim-ligjin për prokurorinë publike, tha se është konfuz lidhur me atë se në cilën fazë është teksti i ligjit dhe, nënvizoi, i kujt është. Ai potencoi se dëshiron të miratohet ky ligj dhe, siç tha, prokuroria të fillojë fazë të ndritshme në punën e vet.
“Këtë ligj e dëshirojmë të gjithë, por dje dhe sot ndahemi në njerëz që nuk e pranojmë përmbajtjen e tij dhe njerëz që pranojnë. Raporti është 80:20. Ekspertët e djeshëm dhe të sotëm i numërova, 80 për qind nuk e pranojnë përmbajtjen e këtij ligji për shkaqe të ndryshme, ndërsa 20 për qind e pranojnë”, tha Kostov.
Sipas tij, ky ligj është i ngjitur nga ligji i vjetër, nga PSP, por i riformuluar me shkathtësi, por, siç tha, juridikisht i paarsimuar.
Gazetari Goran Lefkov deklaroi se nuk dakordohet me disa dispozita të ligjit, posaçërisht nenin 3 në të cilin përcaktohet se Prokuroria publike organizohet sipas parimeve të kierarkisë dhe vartësisë.
“Politika duhet tërësisht të heqë dorë nga Prokuroria publike. Politika duhet t’i lërë Prokurorinë publike dhe prokurorët publikë ta bëjnë punën e tyre. Përzierja e politikës, e partive politike dhe formave të tjera të ndikimit ndaj Prokurorisë publike, pasojat do t’i kemi katastrofale, siç i kemi sot në punën e Prokurorisë publike”, theksoi Lefkov.
Kryetari i Komisionit kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Aleksandar Kiracovski shprehi kënaqësi që dy ditë është debatuar për këtë propozim-zgjidhje ligjore. Sipas tij, vetëm njëri nga folësit nuk ka diskutuar për temën, ndërkaq të gjithë të tjerët janë përfshirë në mënyrë cilësore, thelbësore dhe eksperte.
Në debatin publik deri më tani morën pjesë përfaqësues nga lëmia e jurisprudencës, prokurorë, avokatë, profesorë nga fakultetet juridike dhe nga sektori i OJQ-së, si dhe deputetë nga të gjitha partitë politike. Përparësi në paraqitjet e vërejtjeve të tyre patën përfaqësues të lëmisë profesionale dhe eksperte.
Në debatin publik sot u kyçën edhe profesorët Aleksandar Klimovski, Aleksandar Dashtevski dhe Nikolla Tupançevski, Xhabir Derralla nga OJQ Civil… Vërejtjet i dëgjuan ministrja e Drejtësisë, Renata Trenevska Deskoska, prokurori shtetëror Ljubomir Joveski, profesorë, anëtarë të grupeve të punës dhe deputetë.(koha.mk)