Gostivar, 2 tetor – Për rreth një të tretën e banorëve të fshatit Forinë, rajoni i Gostivarit, këtyre ditëve morën fund problemet infrasturkturore më të cilat janë ballafaquar deri më tani. Pas ndërtimit të linjës së re të ujësjellësit dhe të kanalizimit, nivelizimit të puseteve ekzistuese dhe punëve të tjera përcjellëse, të shtunën përfundoi edhe asfaltimi i rrugëve në fshatin Forinë. Bëhet fjalë, siç thuhet në kumtesë, për dy rrugë në këtë fshat të cilat më pas bashkohen në një, respektivisht prej te ura mbi lumin Jahorka dhe prej te Mektebi në drejtim të fushave.
Rrugët kanë gjatësi prej 1.100 metra me gjerësi prej 5 metrash, ndërsa kostoja e investimit vetëm për asfaltimin e tyre është 10 milion denarë mjete nga buxheti komunal, pa mos llogaritur këtu investimin e NP “Komunаlec” për linjat e ujësjellësit dhe kanalizimit. Me realizimin në fjalë, u zgjidh problemi në aspektin e rrugës, kanalizimit dhe ujësjellësit për rreth një të tretat e banorëve të Forinës, si një ndër fshatrat më të mëdhenj në komunën e Gostivarit, që sipas regjistrimit të fundit numëron mbi 4000 banorë, thuhet në fund të kumtesës.